Ndreu: PD-ja jep urdhra ndaj shefave të komisariateve të pengojnë zhvillimin e aktiviteve të opozitës

Postuar në 17 Mars, 2013 13:55

 

Pjerin Ndreu, një nga ish drejtuesit kryesorë të policisë, shprehet se Policia e Shtetit ndodhet në situatën më të vështirë të këtyre 22 viteve të ndërrimit të pushtetit. Krimi raportohet në shifra alarmante duke u trefishuar nga tetë vite më parë. Punonjës policie vriten dhe autorët ikin në drejtim të paditur si dhe vjedhjet e dhuna e rrugës është bërë shqetësuese. Sipas tij, kjo ndodh për shkak se në polici janë vendosur gjithë militantët.

“Policia ka kohë që është anemike, e eklipsuar komplet nga politika. Marrëdhënie mes nivelit politik dhe teknik në ministrinë e Brendshme ka marrë përmasa shqetësuese. Politika jo vetëm ka dominuar mendimin profesional duke e mbytur dhe bërë shurdhmemec, por ka instaluar një politikë personeli komplet partiake, ku mitingashët e PD kanë zënë zyrat qendrore të policisë së shtetit e në drejtoritë rajonale duke gëzuar dhe grada të pamerituara e në kundërshtim me ligjin. Këta kollovarë, kanë katandisur nivelin profesional si mos më keq dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe performancën e policisë së shtetit në sytë e publikut i cili nuk ka më besim te policia e shtetit. Rëndom në korridoret e ministrisë së Brendshme, drejtoritë e policisë së qarqeve apo komisariatet e policisë dëgjohen zotime, urdhra, angazhime e presione politike të drejtuesve të policisë drejtuar efektivave. Situata e depolitizimit të policisë është në kolaps total duke e infektuar rëndë organizatën me murtajën e militantëve mitingashë”, tha Ndreu për gazetën “Dita”.

Sipas ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, PD-ja jep urdhra ndaj shefave të komisariateve të pengojnë zhvillimin e aktiviteve të opozitës, ndërsa thekson se PS ka një strategji të qartë për të luftuar kriminalitetin në vend.

“Shefi i komisariatit të Kamzës, një i ashtuquajtur Rakip Hoxha, thërret pronarin e një lokali në Bathore ku do zhvillonte aktivitet Edi Rama dhe i bën presion që të mbyllë lokalin e të mos zhvillohet aktiviteti. Të tilla raste ndodhin çdo dite çka e bën jo vetëm të pabesueshëm qëndrimin e policisë në zgjedhje, por dhe të rrezikshëm“, shprehet Ndreu.

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.