Ndarja e posteve Koçi: Rama të ketë parasysh se aleatët morën 100 mijë vota

Aleatët e vegjël të Partisë Socialiste presin që brenda javës kryeministri i zgjedhur, Edi Rama të përcaktojë pjesën e “tortës” qeverisëse që do u përkasë atyre në 4 vitet e ardhshme. Parimisht, nëse gjerat shkojnë siç duhet, brenda kësaj jave pritet të zhvillohet një takim tjetër i tryezës së aleatëve të koalicionit që fitoi zgjedhjet e 23 qershorit, ku dhe pritet të përcaktohet pjesa e pushtetit që do t’i takojë secilit aleat. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje kreu i PSV91, Petro Koçi, i cili ka theksuar se në këtë takim do të përcaktohet skema e bashkëpunimit me aleatët. “Shpresohet që brenda javës në vijim të kryhet një takim që do fokusohet te përcaktimi i skemës së bashkëpunimit”, – shprehej Petro Koçi duke komentuar në faqen e tij në rrjetin social Facebook. Pavarësisht asaj që do të vendoset në këtë takim, ai bën të ditur se tashmë skema e bashkëqeverisjes është e qartë. Ajo varet nga pesha specifike që rezultoi se ka secila prej këtyre forcave në zgjedhjet e 23 qershorit. Më konkretisht ai bën të ditur se ato që do të ndahen me aleatët tashmë janë postet e zv/ministrave dhe ato të funksionarëve politikë nëpër institucionet shtetërore, pasi siç dihet tashmë, edhe në bazë të marrëveshjes paraelektorale, postet me statusin e nëpunësit civil nuk do të jenë pjesë e “tortës” së pushtetit të ri. “Skema e bashkëpunimit PS-aleatë është e thjeshtë: ata do të angazhohen në detyra plotësuese qeverisëse në poste që me ligj konsiderohen politike, pra nga zv/ministër e poshtë. Marrëveshja saktëson vetëm detyrimin politik për përfshirje në nivele të qeverisjes qendrore të partive që në rang kombëtar kanë marrë 5 000 deri në 10 000 vota. Pra do varet nga konsiderata konkrete e kryeministrit të ri përcaktimi i detyrave politike që do marrin përfaqësuesit e aleatëve në bashkëqeverisje”, – thekson Koçi. Megjithëse shprehet se nga ajo që pritet të ndahet, “roli i aleatëve në këtë proces do të jetë modest”, Koçi nuk harron t’i kujtojë PS se koalicioni mori nga aleatët e vegjël plot 100 mijë vota. “Megjithatë nuk duhet harruar se ato kanë marrë së bashku rreth 100 000 vota”, – shprehet Koçi. Ai shpjegon edhe arsyet pse asnjëra nga këto parti nuk arriti të marrë numrin e duhur të votave për të pretenduar post ministri, siç edhe ishte rënë dakord në marrëveshjen paraelektorale. Sipas tij, kjo erdhi nga fakti se në këtë koalicion pati shumë parti të vogla, të cilat i morën vota njëra-tjetrës dhe duke bërë që ato të mos përqendrohen në pak parti. “Sidoqoftë, totali i peshës së tyre elektorale është në vëmendjen politike të kryeministrit të ri”, – tha ai. Gjithsesi, Koçi sqaron se “nuk ka marrëveshje për poste politike të paracaktuara”. Sa i përket zbatimit të marrëveshjes paraelektorale për bashkëqeverisje edhe në nivelet vendore, Koçi shprehet se ajo nënkupton që çdo subjekt politik pjesë e koalicionit do të marrë poste politike vetëm në ato qarqe ku ka dhe fuqinë më të madhe elektorale. “Marrëveshja përcakton se nivelet e qeverisjes vendore që përfshihen në postet politike do angazhojnë aleatët në përputhje me rezultatin zgjedhor në qarkun përkatës”, – shkruante dje Petro Koçi.
Mapo
Add new comment