Ndërtimet pa leje, Llalla: Hetim edhe inspektorateve vendore

Postuar në 10 Shtator, 2013 04:31

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, urdhëron ndjekjen penale të punonjësve të bashkive dhe komunave që nuk kanë denoncuar me kohë ndërtimet pa leje. Organi qendror i akuzës ka shpërndarë këtë të hënë një qarkore për hetimin e ndërtimeve të paligjshme, ku urdhëron në mënyrë të qartë hetimin e çdo rasti kur policitë e komunave dhe bashkive, si dhe inspektoratet ndërtimore, kanë mbyllur sytë para ndërtimeve pa leje. “Konstatohet mosfunksionim siç duhet i strukturave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik pranë bashkive dhe komunave, si dhe policive bashkiake dhe komunave, të cilat kanë detyrimin ligjor parandalimin, pezullimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe kallëzimin e subjekteve që bëjnë ndërtime të tilla.”- thuhet në qarkoren e prokurorisë. Në këtë dokument urdhërohen prokuroritë e rretheve të evidentojnë kallëzimet që mund të kenë bërë subjekte të ndryshme lidhur me situatën e ndërtimeve pa leje. Kallëzime që mund të kenë ardhur nga qytetarë, policia e shtetit apo dhe struktura shtetërore. Drejtuesit e prokurorive në qarqe urdhërohen të analizojnë se sa janë vlerësuar këto kallëzime nga vendorët, si dhe të regjistrojnë procedime penale për personat përgjegjës por dhe për subjekte që kanë ndërtuar pa leje. Shkak për orientimin e hetimeve të prokurorisë në këtë drejtim duket se është gjendja aktuale e procedimeve penale për ndërtimet e paligjshme, ku vetëm 11% e tyre janë denoncuar nga inspektorët e komunave dhe bashkive. Ka qenë pikërisht studimi i rreth 200 çështjeve që janë nën hetim dhe evidentimi i mangësive nga ana e vendorëve që i parapriu kësaj qarkoreje të Prokurorisë së Përgjithshme. Tashmë, sipas dokumentit në fjalë, para ligjit do të jenë jo vetëm qytetarët që kanë ndërtuar pa leje, por dhe zyrtarët që i kanë toleruar këto ndërtime.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.