Natën që Marian Kola u vra, RENEA sulmoi fshatin e tij

Postuar në 25 Korrik, 2013 04:21

Policia shqiptare ka qenë e koordinuar me atë greke në operacionin që u finalizua me eliminimin e të arratisurit nga burgu, Marjan Kola. E ndërsa Marian Kola jepte shpirt nga plumbat e policisë greke, policia shqiptare sulmoi Vigun (vendbanimin e familjes së tij), nga dy rrugët që të fusin në këtë zonë: nga Vau i Dejës dhe nga zona e Kreshtës, mali që ndan Lezhën me Shkodrën. Mësymja ka ndodhur rreth mesnatës, më 20 korrik 2013, ndërsa forcat e shumta policore kanë hyrë nga Zadrima. Informacioni u njoftua për gazetën “Shekulli” nga banorë të zonës, të cilët kishin përjetuar ankth e panik. Sipas dëshmitarëve, dy helikopterë të huaj kishin patrulluar zonën. Më vonë kishin mbërritur fouristrada me targa të huaja, me xhama të zinj dhe me punonjës policie të gjithë të maskuar. Banorët thanë se gjatë kalimit nëpër zonë, të gjitha makinat ishin me fenerë të ndezur. Pas disa minutave që kanë kaluar makinat, janë dëgjuar edhe krisma armësh.

Operacioni mister

Diku mbi kodër, në afërsi të Kreshtës janë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa banorët e zonave nga frika kanë vendosur të mbyllen nëpër shtëpi. Sipas banorëve që janë habitur me terrorin policor atë natë dhe orëve të para të mëngjesit, tregojnë se nuk dinë në të vërtet se çfarë ka ndodhur. Sipas tyre, të nesërmen në fshat kanë mbërritur dy makina policie, por shqiptare. Janë ndaluar në një lokal fshati dhe nga biseda që kanë kryer me një person të zonës, kanë treguar se, aksioni kishte përfunduar një natë më parë. Të kontaktuar nga “Shekulli”, policia e Lezhës e justifikoi ndërhyrjen me helikopter nëpër ato zona, si kontroll për parcela me hashash nëpër zonën e Kallmetit e deri në Mnelë e Vig, ndërsa burimet nga policia e shtetit treguan se operacioni i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nëpër ato zona lidhej me tentativën për të zbuluar personat që i zunë pritë makinës së pukjanëve në Qafë-Çelë. Referuar burimeve të Policisë së Shkodrës, u mësua se në të vërtet autorët e asaj plagosjeje të pesëfishtë, ku u gjuajt mbi dy familje që udhëtonin në një makinë, janë afër identifikimit, por ende nuk janë arrestuar. Njëkohësisht, as policia e Shkodrës dhe as e Lezhës, por as Policia e Shtetit nuk dha asnjë deklaratë në lidhje me mësymjen e shtëpisë dhe familjes së Marian Kolës, mbrëmjen e së shtunës, duke gdhirë e diela.     

Bastiset shtëpia e Marian Kolës

Ndonëse asnjë informacion nuk pason atë veprim policor që ka ushtruar policia jonë (jo ajo greke) në fshatin Vig dhe në familjen e Marian Kolës, nga të afërmit e viktimës mësohet se ata janë shoqëruar në policinë e Shkodrës. Detajet që vijnë nga rrëfimet e tyre tregojnë se i ati dhe xhaxhai janë shoqëruar në polici, ndërsa kanë qenë në ambientet e komisariatit kur janë njoftuar për vrasjen e djalit të tyre. Nga Vigu vijnë akuza të forta në lidhje me policinë tonë. Sipas tyre, ata kanë kryer kontrolle të imtësishme për të mësuar nëse në zonë gjendej i shumëkërkuari i policisë greke, ndërsa janë sekuestruar dokumente dhe një çifte që mbahej në banesë, armë me leje. Familjarët e Kolës janë lënë të lirë vetëm pasi është dhënë lajmi i ekzekutimit të tij, ekzekutim që policia greke dhe mediat vendase e kanë fiksuar në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Kur u vra Katerina Zogali, Mariani ishte në Shqipëri

Duket si rastësi e keqe, por mbart edhe një mister të madh momenti kur i ati i Marian Kolës ka marrë lajmin e vrasjes së të birit. Ai ka qenë në ambientet e policisë së Shkodrës, kur e ëma e Marianit dhe bashkëshortja e tij i kanë thënë në telefon se është vrarë në Greqi, Mariani. Familjarët dhe njerëzit e afërt të familjes Kola janë trajtuar me përbuzje nga forcat speciale shqiptare të cilat kanë mbërritur në Vig të armatosura deri në dhëmbë për të kapur dhe arrestuar “kriminelin” që kërkonte të asgjësonte policia greke. Familjarët pranojnë se Kola ka qenë në Shqipëri në kohën kur është vrarë shtetasja greke në atë shkëmbim zjarri ku asnjëherë nuk u publikuan dhe as nuk u fol për ekspertizën e plumbit që i mori jetën 25-vjeçares, teksa gjendej mes plumbave me makinën e saj. Ngjarja që daton 31 mars, plot një javë pas arratisjes së shqiptarëve nga burgu, e cila u drejtua nga Marian Kola. Policia greke vijoi të saktësonte se janë gjendur prova dhe gjurmë të shqiptarit që u konsiderua si truri i asaj arratisjeje. Mirëpo, nga Vigu, njerëzit e viktimës së së policisë greke tregojnë se në atë kohë Mariani ka qenë kthyer në Shqipëri. Gjithashtu, bëhet me dije se Mariani ka qëndruar gjatë në zonën e tij dhe nëpër qytete të tjera të vendit. Në të vërtet nuk dihet se për çfarë motivi Marian Kola ka ikur në Greqi, pas arratisjes, por familjarët hedhin poshtë të gjitha akuzat në lidhje me djalin e tyre, ndërsa ende nuk është marrë një përgjigje ekspertize dhe aq më pak dokumentacion në lidhje me ekspertimin e trupit nga mjekësia ligjore e Janinës.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.