Në Itali, peng 50 mijë karta të emigrantëve

-Qeveria shqiptare po mban peng rreth 50 mijë karta identiteti të emigrantëve shqiptarë, që jetojnë në Itali për t’i përdorur për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Shqetësimin e ka përcjellë për gazetën “Shekulli”, kreu i degës së PS-së në Itali Edmond Kumaraku, që thotë se me manovra qeveria kërkon të manipulojë zgjedhjet e 23 Qershorit nëpërmjet kartave të identitetit të emigrantëve.
Zoti Kumaraku, sa ekziston për ju - që prekni dhe njihni direkt emigracionin shqiptar - vjedhja e votave të emigrantëve, gjë të cilës kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka mëshuar shpeshherë, edhe ditët e fundit?
Ekziston, dhe e madhe madje. Sinjalizimet shqetësuese për këtë nga emigrantët shqiptarë me banim në Itali janë të shumta. Për shembull, një sinjalizim prej një burimi të brendshëm pranë konsullatës shqiptare në Romë na ka mësuar dhe ndihmuar të llogarisim më pas se rreth 50.000 karta identiteti janë të bllokuara nëpër konsullata e mund të përdoren në votimet e 23 Qershorit, që me to të votohet në Shqipëri në emër të atyre emigrantëve, që kanë aplikuar, por s’kanë mundur t’i tërheqin kartat.
Këto vetëm në konsullatën në Romë Bari?
Nga të dhënat që kemi në të dy konsullatat bashkë; Romë dhe Milano, ndërsa në Bari nuk aplikohet. Duke i shtuar edhe ankesën e fundit të një shqiptari për mostërheqjen e kartave të identitetit të familjarëve të tij në konsullatën në Romë. Mësuam se atij i kishin thënë, se “s’janë vetëm familjaret e tu, janë mbi 19 mijë shqiptarë që nuk i kanë marrë ende, e që duhet të paraqiten personalisht në konsullatë”. E kjo rreth një muaj më parë, ndërkohë që çdo ditë bëhen me dhjetëra aplikime për karta. Në Milano duhet të jetë dyfishi i numrit më sipër. Në total, me informatat që kam, them se duhet të jenë mbi 50 mijë karta të patërhequra vetëm në Itali.
Pse nuk kanë mundur t’i tërheqin dhe në ç’mënyrë po mbahen peng këto karta?
Është fakt që ekziston; aplikimet për pasaporta nga emigrantët shqiptarë nëpër konsullatat tona janë të detyrueshme, që të bëhen bashkë me ato të kartave të identitetit. Por kur emigrantët shkojnë për t’i marrë u jepet vetëm pasaporta e jo kartat. Shumica e emigrantëve shkojnë familjarisht për të aplikuar me një makinë me një shpenzim komplesiv, ndërsa për të marrë pasaportat mund të shkojë dhe vetëm njëri prej tyre ose një i njohur i tyre dhe me autorizim mund të tërheqë pasaportat e familjarëve të tjerë, por jo kartat e identitetit. Me ligj, çdo individ duhet të shkojë vetë personalisht të tërheqë kartën, pasi duhet të lërë shenjat e gishtërinjve edhe kur aplikon, edhe kur tërheq kartën. Fakti që duhet të paraqitesh dy herë për të marrë kartën e bën këtë procedurë një ‘angari’ dhe shumë emigrantë nuk kanë as kushte ekonomike, që të shkojnë enkas e të rrugëtojnë dy herë, që të tërheqin kartat. Edhe italianët shenjojnë dy herë me gisht, por ama aplikojnë në çdo qytet. Ndërsa shqiptarëve iu duhen 500 euro si shpenzime udhëtimi për të shkuar deri në Milano, për shembull. Dhe, emigrantëve u intereson sidomos pasaporta, sepse është i vetmi dokument, që u njeh legjislacioni italian dhe shqiptar për të lëvizur, pasi karta për momentin nuk u hyn në punë. Aplikimin për të e bëjnë se është e detyrueshme. 80% e emigrantëve me banim në Itali dërgojnë njerëz të tjerë për të tërhequr vetëm pasaportën. Në vetë qytetet ku ndodhen zyrat e aplikimit, në Romë dhe Milano vetë emigrantët dërgojnë edhe prindërit e tyre për t’i tërhequr, se vetë janë në punë. Imagjino jashtë Milanos apo Romës!
Por pse duhet të lënë detyrimisht dy herë shenjat e gishtërinjve, ndërkohë që në Shqipëri shenjat e gishtërinjve merren vetëm një here, vetëm kur aplikon?
Kur tërheq kartën e identitetit në konsullatat shqiptare është kusht themelor, që duhet të vësh përsëri gishtin, dmth dy herë. Kurse për pasaportat jo. Ok, nëse është kriter nuk jam kundër, por në këtë rast duhet studiuar një zgjidhje teknike. Mënyra e bllokimit të kartave kuptohet qartë, që është kthyer në një kurth, i ndërtuar nga një kriter, që ndoshta vlen për aplikime brenda qyteteve, e jo për kaq distancë. Ligjërisht sot institucionet kompetente nuk i kap dot, por ky ligj është absurd dhe lë vend për abuzime.
Emigrantët shqiptarë që marrin pasaportat mund të votojnë me pasaportë. Frika juaj është që mund të keqpërdoren për vota kartat?
Pikërisht ajo është frika, që mund të përdoren këto karta të stokuara. Madje një student në Terni afër Romës na konfirmoi në një takim, që një mik i tij në ambasadën tonë në Romë i kishte thënë se “kartat do të përdoren në zgjedhje” dhe “kot që lodhen me fushatë socialistët e Italisë”…
SHEKULLI
Add new comment