Mynih, Berisha fton zv/presidentin e SHBA në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha, ka takuar sot zëvendës/Presidentin e SHBA-ve, z. Joseph Biden, gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih. Sipas zyrës së shtypit të kryeministrisë, Berisha ka uruar përzemërsisht z. Biden për rizgjedhjen për një mandat të dytë në postin e numri dy të Shtëpisë së Bardhë dhe e falenderoi për mbështetjen, që administrata e Presidenti Obama dhe ai personalisht i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Kryeministri e ftoi z. Biden të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi me shumë kënaqësi. ‘Shqipëria është një vend që unë e dua me gjithë zemër, një vend për të cilin kam konsideratën dhe respektin më të madh’, u shpreh Zëvendës Presidenti Biden”, thuhet në faqen zyrtare të kryeministrisë. Ndërkohë mësohet se në ditën e dytë të punimeve të Konferencës, temat e bisedës janë përqendruar mbi të ardhmen e bashkëpunimit të komunitetit euro-atlantik të sigurisë, roli i fuqive në rritje për sigurinë ndërkombëtare, siguria dhe stabiliteti në Europën Juglindore dhe Kaukaz dhe çështje aktuale të sigurisë globale si kriza në Siri dhe Mali, energjia, siguria kibernetike.
Në një prononcim për Televizionin Shqiptar, kryeministri Berisha u shpreh se: “Gjatë qëndrimit aty dje dhe sot, jam takuar shkurtimisht dhe kam biseduar me përfaqësues të vendeve të ndryshme si ministra të jashtëm, zyrtarë të lartë në fushën e sigurisë. Mund të them, ashtu si edhe në vitet e kaluara ku ishte e pranishme Sekretarja Clinton dhe Sekretari Pentagonin Paneta, edhe këtë vit ka një prani shumë të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë rreth 70 delegacione, por natyrisht tonin këtu ia japin Shtetet e Bashkuara, si përgjegjësit kryesore për sigurinë në botë”.
Më herët, Berisha ka shkuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook” se: “Shfrytëzova rastin për të diskutuar për TAP me disa prej zyrtarëve të rëndësishëm të fushës dhe rezulton se është bindja e plotë se TAP është projekti më i leverdisshëm dhe ka shanse reale që të fillojë ndërtimi i tij brenda këtij viti!”.
SHQIP
Add new comment