Musabelliu: Skema e re ofron një pension social, që garanton jetesë të denjë

Skema e pensioneve, e cila rëndon me një deficit financiar prej 42 miliardë lekësh mbi buxhetin e shtetit, pritet të reformohet në pika të rëndësishme të saj. Në një intervistë për “DITA”, këshilltari i ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Enkelejd Musabelliu, sqaron se në diskutimin e grupit të punës do të jetë rritja e pensionit social. Brenda muajve të parë të këtij viti, do të ngrihet një grup pune, i cili do të drejtohet nga kreu i Ministrisë së Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, ku do të vendoset mënyra e re e kontribuimit, por edhe përfitimi nga skema e sigurimeve.
Problemi më kritik i skemës është raporti midis kontribuesve dhe përfituesve, të cilin ekspertët e kanë vlerësuar si rrënues. Si do të zgjidhet ky problem?
Raporti shumë i ulët mes kontribuesve dhe përfituesve është shkaku kryesor i deficitit tej mase të lartë (plot 42 miliardë lekë për vitin që sapo lamë pas), të skemës tonë të pensioneve, por gjithsesi nuk është shkaku i vetëm. Një shkak i dytë është rritja e përvitshme e pensioneve gjatë viteve të fundit, e cila as nuk është bazuar në rritjen ekonomike, dhe as nuk është shoqëruar me një rritje të kontributeve për ta bërë atë të përballueshme. Një arsye e tretë është se edhe ata punonjës që kontribuojnë në skemë, paguajnë vetëm detyrimet minimale, duke e fshehur pagën e tyre reale. Kjo sigurisht që ka ardhur edhe për faj të vetë skemës, pasi me reformat e 2006 dhe 2009, lidhja mes kontributeve dhe benefiteve është dobësuar, ç’ka ka bërë që ata me paga të mesme e të larta të paguajnë shumë më shumë se ata me paga të ulëta, ndërkohë që nuk mund të marrin një pension aq të lartë sa për të justifikuar këtë diferencë në kontribute. Kjo ka bërë që të humbasë interesi për të kontribuar në skemë. Që defiçiti të ulet dhe skema të balancohet, duhet që të zgjidhen këto probleme. Thelbi mbetet që të ndërtohet një skemë e tillë pensionesh që, nga njëra anë, të nxisë individët për të marrë pjesë në të, dhe nga ana tjetër, duke ofruar mundësinë e një pensioni më të lartë në këmbim të kontributeve më të larta, t’i nxisë ata për të kontribuar më shumë.
Si do të jetë skema e re e pensioneve?
Se si do të jetë skema e re do të vendoset vetëm pas një debati të gjerë e gjithëpërfshirës publik. Por disa parime bazë rreth të cilave do të ngrihet skema janë përcaktuar. Pikësëpari, duhet sqaruar se skema e re nuk do të jetë as private shumë-kolonësh edhe as do të shoqërohet me rritjen e moshës së daljes në pension. Gjithashtu, kjo reformë nuk do të prekë pensionistët, por vetëm popullsinë ekonomikisht aktive, që aktualisht është në marrëdhënie pune. Mendohet që si kufi të përcaktohet mosha 35 apo 40 vjeç dhe të gjithë ata që janë nën këtë moshë të kalojnë automatikisht në skemën e re. Skema e re do të bazohet mbi solidaritetin dhe drejtësinë. Kësisoj, propozohet një pension social që do të garantojë një jetesë të denjë, dhe mbi nivelin e varfërisë, për të gjithë ata që kanë mbushur moshën e daljes në pension. Këtij pensioni bazë do t’i shtohet një komponent i dytë, i bazuar realisht mbi parimin e kontributivitetit, në të cilin nuk do të ekzistojë pensioni tavan dhe kujtdo që dëshiron një pension më të lartë, do t’i jepet mundësia që të kontribuojë më shumë. Këto masa përgjithësisht janë shoqëruar me rritjen e numrit të kontribuuesve, si edhe me rritje të nivelit të përgjithshëm të kontributeve, ç’ka në rastin e Shqipërisë do ta ulte ndjeshëm defiçitin. Gjithsesi, ky është një propozim mbi të cilin është duke u punuar akoma dhe detajet e tij do të përcaktohen vetëm kur të ngrihet komisioni teknik ndërministror, që do të merret me hartimin e kësaj reforme.
Qeveria nuk ka parashikuar rritje pensionesh për këtë vit. Por si do të zgjidhet kontradikta midis minimumit jetik që rritet dhe pensioneve që mbeten në vend dhe indirekt ulen?
Minimumi jetik rritet me rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, dhe rritja e pensioneve në mënyrë që të reflektohet kjo rritje të çmimeve ose, e thënë ndryshe, indeksimi i pensioneve me nivelin e inflacionit, është një detyrim ligjor dhe si i tillë do të zbatohet. Me fjalë të tjera, edhe për vitin 2014, pensionet do të rriten aq sa për të përballuar rritjen e minimumit jetik. Ç’është e vërteta, gjatë viteve të shkuara pensionet janë rritur edhe mbi nivelin e inflacionit, por kjo rritje ka qenë tërësisht e pabazuar dhe është bërë në kurriz të brezave të ardhshëm, pasi ka venë në rrezik ekzistencën e vetë skemës, duke e shpënë atë në prag të falimentit. Për ilustrim, në vitin 2005 defiçiti vjetor i skemës së pensioneve ishte rreth 16 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2013 ky deficit është 160 % më i lartë, duke shkuar në rreth 42 miliardë lekë, ndërkohë që numri i pensionistëve është rritur vetëm 4%.
Një skemë rishpërndarëse, por e padrejtë
Sistemi shqiptar i pensioneve njihet si Pay-As-You-Go dhe sipas kësaj skeme niveli i pensionit që merr një individ kur del në pension, përcaktohet në bazë të kontributeve që ky individ ka derdhur gjatë jetës së tij. Ndonëse kjo skemë bazohet në lidhjen mes kontributeve dhe benefiteve, reformat e njëpasnjëshme e kanë dobësuar këtë lidhje. Kështu, përsa i përket kontributeve, ligji përcakton pagën minimale kontributive që është rreth 19000 lekë dhe pagën maksimale kontributive që është sa pesëfishi i pagës minimale kontributive, pra rreth 92000 lekë. Problemi është se për sa u përket benefiteve, ligji përcakton një pension minimal që është rreth 12000 lekë dhe një pension maksimal që është sa dyfishi i pensionit minimal, pra rreth 24000 lekë. Kjo mënyrë llogaritjeje ka penalizuar padrejtësisht individët me paga të mesme e të larta, sepse ata paguajnë kontribute pesë herë më të larta se individët me paga të ulëta dhe përfitojnë një pension që është vetëm dy herë më i lartë se pensioni që përfitojnë individët me paga të ulëta.
Dita
Add new comment