MPJ: Rama Incident në Vjenë

Postuar në 25 Prill, 2013 13:15

Politika shqiptare është përfshirë në deklarata dhe kundërdeklarata pas një prononcimi të Ministrisë së Jashtme, sipas së cilës kryetari i opozitës, Edi Rama është përfshirë në një incident që u mbajt një ditë më parë ne Vjenë, gjatë pjesëmarrjes se tij në Akademine Diplomatike, me ambasadorin tonë në OSBE, Egin Ceka. 

Ka qenë numri dy i dikasterit të diplomacisë sonë, Edith Harxhi, që ka përshkruar atë që quajti dhunë të kreut të opozites ndaj Egin Cekës, ku sipas Ministrise sonë të Jashtme, situata është tensionuar pasi diplomati shqiptar ka kërkuar qëndrimin e PS për votimin e emigranteve përmes ambasadave.

”Në këtë moment, zoti Rama ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, ka përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas në dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve Ramës dhe diplomatit Ceka. Ky konflikt është shpërndarë nga të pranishimit në sallë dhe diplomatët e huaj që ishin prezent. Dhuna verbale ka vazhduar edhe më tej duke i kërkuar z, Ceka që të dalë jashtë, madje duke përdorur edhe fjalë që nuk janë të denja për asnjë qytetar shqiptar, aq më tepër për një kryetar partie karshi diplomatëve shqiptarë”, u prononcua zv/ministrja Harxhi.

Por, Partia Socialiste e konsideroi këtë deklaratë të Ministrisë së Jashtme një deklarate turpi dhe shprehu keqardhjen per nivelin banal ku ka rënë dikasteri i diplomacise shqiptare, siç e quajti në deklaraten zyrtare. 

“Në Akademinë Politike të Vjenës ka pasur vetëm një ngjarje: Dialogu prej më shumë se dy orësh i një audience të nderuar me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas takimit, djali i Neritan Cekës, që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike”, deklaroi PS, duke e dënuar mbrojtjen nga Ministria e Jashtme të asaj që quajti shëmbëlltyra e degradimit e trupit tonë diplomatik, me emërime nepotike të një pushteti të dalë duarsh.

Debati në sallën e Parlamentit

Ndërsa dikasteri i Ministrisë së Jashtme dhe Selia Roze kishin konsumuar këto reagime, as Parlamenti nuk i ka shpëtuar këtij debati. 

Ndërsa seanca parlamentare ishte drejt mbylljes, ka mberritur kryeministri Berisha, posaçërisht për të deklaruar se mbi incidentin, ditën e hënë do të votohet ngritja e një komisioni hetimor, por pa dhënë sqarime se si do të behet e mundur, për shkak se ligji i ndalon këto nisma deri në 6 muaj përpara zgjedhjeve.

”Për të faktuar se ai humbet çdo kontroll, për të faktuar se ai ka probleme të rënda psiqike ose probleme overdozash, gjë që e faktoi në Akademinë politike të Vjenës. Nëse doni, në këtë Parlament ju sjellim jo një, por 30 dëshmitarë, nëse domi urdhëroni komisionin hetimor, pasi diplomacia u prek me dhunë. Ky është akt i përsëritur i Ramës, edhe ndaj jush, por juve mirë jua bën”, deklaroi kryeministri Berisha, duke iu adresuar deputetëve të opozitës.

”Zoti kryeministër, e vetmja gjë që mund të bëje ishte t’i kërkoje falje Ramës e popullit shqiptar dhe ta shkarkoje e ta liroje nga detyra për aktin e paprecedent që shkaktoi një diplomat sipas teje karriere dhe me intelekt. Por, e gjykoj nga rasti e jo ta merrni në mbrojtje”, u kundërpërgjigj Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar socialist.

Organizatorët: Takimi pa incidente

Bashkëorganizator i forumit me diplomatët në Akademinë Diplomatike vjeneze,  ku mori pjesë Edi Rama, ishte edhe “Instituti Reener”. 

Për të hedhur më shumë dritë rreth incidentit të pretenduar nga Ministria e Jashtëme Shqiptare mes kreut të opozitës, Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka, “Top Channel” kërkoi një prononcim nga Marchl Gerhard, shef i seksionit për Europën në “Institutin Reener”.
Kjo ishte përgjigja përmes postës elektronike.

”I gjithë forumi dhe dialogu u zhvilluan qetësisht dhe në mënyrë paqësore. Ne mund t’iu themi se nuk kemi asnjë dijeni rreth ndonjë debati apo incidenti të ndodhur pas aktivitetit tonë. Për herë të parë ne u përballëm me këtë çështje pasditen e sotme, kur u infomuam për lamin e dhënë nga Shqipëria”.

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.