Misioni parazgjedhor i KiE takon ministrin Noka

TIRANE- Ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka garantuar sot Misionin Para-Zgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës se, qeveria shqiptare ka të gjithë vullnetin për të zhvilluar një proces zgjedhor tërësisht transparent, të lire dhe konform standardeve ndërkombëtare.
Gjatë takimit me misionin, kryesuar nga Luca Volonte, Noka është shprehur se listat e zgjedhësve janë hartuar sipas Kodit Zgjedhor dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ministri ka garantuar se këto janë listat më të mira të hartuara ndonjëherë, që janë përpiluar gjatë një procesi tërësisht transparent dhe ligjor, që do të ndikojnë absolutisht në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Parlamentarët evropianë shprehën vlerësime për punën e bërë nga strukturat e Ministrisë së Brendshme, procesin konsultativ që ka kaluar hartimi i listave të zgjedhësve me palët e përfshira në proces dhe shprehën gjithashtu besimin se palët do të angazhohen plotësisht që ky proces zgjedhor të jetë i suksesshëm dhe t’i hapë rrugën Shqipërisë drejt integrimit evropian.”- thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.
KiE në Tiranë për një vëzhgim parazgjedhor
Një delegacion gjashtë-anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (Pace), i udhëhequr nga Luca Volonte ka ardhur sot për një mision parazgjedhor në Shqipëri.
Misioni do të qendroje në Tiranë në datat 10 dhe 11 qershor për të vlerësuar kuadrin zgjedhor dhe fushatën para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 23 qershor.
Gjatë kësaj vizite në Tiranë, delegacioni do të takohet me Kryeministrin, Kryetaren e Parlamentit, Ministrin e Brendshëm dhe me delegacionin e Këshillit të Evropës në Tiranë.
Takime janë parashikuar po ashtu edhe me Kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, përfaqësuesit e partive politike në zgjedhje, diplomatë në Tiranë, shoqërinë civile dhe media.
Një delegacion prej 27-anëtarësh, thuhet me tej ne deklarate, do të rikthehet në Shqipëri për të vëzhguar votimin para se të bëhet një vlerësim përfundimtar. Vëzhguesit do të mbajnë një konferencë për shtyp, e cila është planifikuar për të martën 11 qershor në orë 18:30 në Hotel Rogner.
Anëtarët e delegacionit: Luca Volontè, kreu i delegacionit, Alina Stefania Gorghiu dhe Petros Tatsopoulos. Pjesë e delegacionit do të jenë edhe, bashkëreporterët për monitorimin e Shqipërisë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco.
PANORAMA
Add new comment