Misioni i ODIHR,cila është amerikania që do të vëzhgojë 23 qershorin?

Postuar në 10 Maj, 2013 15:03

 

Ajo është angazhuar në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në përmirësimin e legjislacionit zgjedhor amerikan, si dhe ka qenë pjesë e ekipeve të vëzhguesve të zgjedhjeve në Armeni, Meksikë, Rusi, Jemen, Indonezi e Nigeri.TIRANË Një eksperte amerikane dhe një parlamentar slloven do të drejtojnë ekipin e përbashkët të vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it dhe Asamblesë parlamentare të OSBE-së, që do të ndjekin nga afër zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Burime diplomatike i konfirmuan ‘Zërit të Amerikës’ se në krye të misionit të ODIHR-it do të jetë zonja Conny McCormack. Ajo është angazhuar në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në përmirësimin e legjislacionit zgjedhor amerikan, si dhe ka qenë pjesë e ekipeve të vëzhguesve të zgjedhjeve në Armeni, Meksikë, Rusi, Jemen, Indonezi e Nigeri. Zonja McCormack pritet të mbërrijë në Shqipëri se bashku me ekipin e vëzhguesve afatgjatë, më datë 13 maj. Ashtu si dhe në vitin 2009, Asambleja parlamentare e OSBE-së, e kryesuar aktualisht nga austriaku Volfgang Grossruck, ka aktivizuar sërish marrëveshjen me ODIHR-in për një mision të përbashkët monitorimi. Ekipi i Asamblesë parlamentare do të drejtohet nga përfaqësuesi i saj special për Europën juglindore, Roberto Battelli, deputet slloven. Sipas raportimit që jep “Zëri i Amerikës”, Battelli ka një eksperiencë të gjerë në vëzhgimin e zgjedhjeve, ndërsa ka marrë pjesë në 19 misione monitorimi në shtete të ndryshme anëtare të OSBE-së. Ai ka qenë edhe koordinator i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së në zgjedhjet në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. ODIHR ka kërkuar nga vendet anëtare të OSBE-së që të dërgojnë në Shqipëri 430 vëzhgues, por ende numri i saktë i atyre që do të përfshihen nuk është përcaktuar. Katër vite më parë drejtuese e misionit të vëzhguesve të ODHIR-it ishte ambasadorja Audrey Glover nga Mbretëria e Bashkuar, marrëdhëniet e së cilës me kryeministrin Sali Berisha nuk kanë qenë të mira. Glover ka qenë kryetare e ODIHR-it gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve të kritikuara të vitit 1996. Misioni i ODIHR-it i dënoi ato zgjedhje, si jo të lira dhe të drejta, proces i cili asokohe u bojkotua nga opozita. Ndërkohë, katër vite më parë OSBE/ODIHR e filloi misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri me 14 ekspertë ndërkombëtarë nga 10 shtete të ndryshme dhe 26 vëzhgues afatgjatë. Edhe katër vite më parë, ODIHR ka kërkuar ardhjen e mbi 400 vëzhguesve afatshkurtër për ditën e zgjedhjeve.

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.