Miratohet projekt ligji për heqjen e tatimit mbi të ardhurat

Postuar në 26 Mars, 2013 14:04

Projekt ligji për heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale deri në 30 mijë lekë, u miratua sot vetëm me votat e maxhorancës  nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave. Deputetët socialistë e kundërshtuan si një nismë elektorale. Ndryshimet e shpeshta në ligjet fiskale, sipas  deputetit të PS-së, Arben Malaj ish ministër i Financave, kanë efekt negativ tek biznesi. Malaj e konsideroi zellin e deputetëve demokratë si spontanitet shqetësues për një nismë që ka efekt electoral.  Sipas Zëvendësministrit të  Financave Alfred Rushaj nga ky ndryshim do të përfitojnë rreth 220 mijë persona, ndërsa efekti në buxhet pritet të jetë 2.5 miliardë lekë. “Nëpërmjet këtij vendimi do të rritet mirëqenia e këtyre individëve”, deklaroi Rushaj. Ligji ekzistues parashikon që të ardhurat nga punësimi nga 0-10 000 lekë nuk janë të tatueshme për efekt tatimi mbi të ardhurat personale, ndërsa të ardhurat nga 10 001 – 30 000 lekë të tatohen 10% të shumës mbi 10 000 lekë dhe të ardhurat nga 30 001 e më tepër, tatohen 10% të shumës mbi 0 lekë.  Qëllimi i këtij projektligji është që nëpërmjet mostaksimit, të të punësuarve me të ardhura nga 0-30 000 lekë të cilët më parë taksoheshin me 10% të shumës mbi 10 mijë lekë, të rriten të ardhurat e disponueshme të tyre, të cilat janë një faktor i rëndësishëm i rritjes së nivelit të konsumit. Synimi i këtij ndryshimi, sipas qeverisë është heqja e barrës tatimore të individit punëmarrës me të ardhura modeste nga paga.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.