Miratohet marrëveshja për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafë e Plloçës.

Postuar në 22 Prill, 2014 13:09

Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori sot në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafë e Plloçës””.

Për të prezantuar projektligjin ishte i pranishëm në mbledhjen e komisionit Zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës,  Ylli Manjani. Në fjalën e tij, Manjani sqaroise bëhet fjalë për një marrëveshje huaje, që do të përdoret për financimin e 9,9 kilometrave të fundit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafë e Plloçës, 43,4 kilometra e gjatë.

“2,9 kilometra janë financuar nga buxheti i shtetit. Për 40 kilometra është siguruar financimi nga Banka Islamike dhe është nisur procedura e prokurimit, ndërsa për 9,6 kilometrat e mbetura paraqitet kjo marrëveshje me Fondin Saudit për Zhvillim,” tha Zëvendësministri i Transporteve.
Sipas marrëveshjes bëhet fjalë për një kredi të butë prej 25 milionë dollarësh me interes 2% për një periudhë 25 vjet, përfshirë 5 vjet periudhë pa pagesë principali. Sipas Manjani kjo rrugë merr rëndësi për shkak se është pjesë e korridorit rrugor (korridori VIII) dhe do të sigurojë një lidhje më të shpejtë dhe komode midis portit të Durrësit e vendeve të tjera të Ballkanit, si Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Turqia etj., duke e bërë Shqipërinë vendin më të përshtatshëm për të kryer tranzitin nga vendet e Ballkanit drejt Europës dhe anasjelltas.

Pas diskutimeve në parim, anëtarët e komisionit e miratuan edhe nen për nen e në tërësi projektligjin në fjalë.

Po sot, Komisioni për Ekonominë mori në shqyrtim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9049,datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive,të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar”.
Ky projektligj është nismë e deputetëve Armando Subashi, Xhemal Qefalia, Piro Lutaj, Vexhi Muçmataj, Silva Caka, Ulsi Manja pas kërkesave për ndryshime të ardhura nga Inspektoriati i Lartë për Deklarimin, Kontrollin e Pasurive dhe Parandalimin e Konfliktit të Interesave.

Kreu i ILDKPI, Shkëlqim Ganaj sqaroi se ndryshimet në projektligj u propozuan bazuar në përvojën e deritanishme dhe mbi bazën e analizave dhe studimeve të kryera gjatë këtyre viteve. Projektligji synon të forcojë mekanizmat ligjorë për verfikimin e burimit të krijimit të pasurisë, si dhe garantimin që të gjithë deklaratat e zyrtarëve subjekte të deklarimit t’i nënshtrohen kontrollit të paktën njëherë në 7 vjet. Ndër amendamentet e propozuara ka të bëjë me deklarimin e gjendjes cash të parave. Në projektligj propozohet që zyrtarët subjekte të deklarimit të lejohen të mbajnë gjendje cash deri në shumën 1.5 milionë lekë. Çdo shumë mbi këtë vlerë duhet të kalojë në sistemin bankar. “Kjo propozohet pasi është vënë re që zyrtarë të cilët marrin rishtas detyrën deklarojnë shifra shumë të larta në gjendje cash, si p.sh 300,000 euro dhe logjika njerëzore çon në dyshimin që në fakt ata nuk i kanë këto para, por është një mënyrë për të justifikuar pasuri që planifikojnë të krijojnë gjatë periudhës në detyrë nëpërmjet metodave korruptive,” tha ndër të tjera z. Ganaj.

Sipas llogaritjeve të bëra nga deklarimet e pasurive të zyrtarëve lidhur me paratë cash që disponojnë, z. Ganaj tha se janë rreth 60 milionë euro që figurojnë në gjendje cash në shtëpitë e zyrtarëve deklarues.
Komisioni për Ekonominë, që e shqyrtoi këtë projektligj në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, pas diskutimeve edhe nen për nen e miratoi edhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Po sot, komisioni përfundoi edhe shqyrtimin nen për nen të projektligjin “Për sigurimin e depozitave” dhe pas miratimin në tërësi u shpreh dakord për kalimin e tij në seancë plenare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.