Ministria e Financave anulon planin për rritjen e pagave dhe pensioneve

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Fatura - Përllogaritet se rritja e pagave dhe pensioneve do t’i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 2.5 miliardë lekë, ekstra nga shpenzimet
Shtesat - Sipas projektvendimit, ishte parashikuar një rritje e pagave dhe e pensioneve duke nisur nga 2 për qind deri në 5 për qind, sipas kategorive
Zbatimi - Zakonisht shtesat e reja të pagave dhe pensioneve kanë hyrë në fuqi në muajin korrik, por këtë vit, shqiptarët do të presin më gjatë
Bllokimi
Berisha deklaroi se rrogat do të rriten deri në 6% dhe do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve
Financat thonë se vendimi për shtesat u është lënë në dorë qeverisë së re socialiste
Pavarësisht justifikimeve, qeveria është e detyruar që rritjen ta bëjë të paktën sipas indeksimit
Shpresa Mezini
“Nëse votoni Partinë Demokratike, do të keni rritje të pagave dhe pensioneve!”. Ky ishte premtimi që shoqëroi fushatën “Përpara” të kryeministrit, por me humbjen e zgjedhjeve, planet tashmë kanë ndryshuar.
Rritja e pagave dhe pensioneve, një nga premtimet e trumbetuara vazhdimisht nga kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës së fundit të Partisë Demokratike mbeti në tentativë. Jo më larg se një muaj më parë, Berisha tha se me të fituar zgjedhjet elektorale të 23 qershorit, më datë 1 korrik do të hynte në fuqi vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve, por kjo nuk ndodhi. Partia Demokratike humbi zgjedhjet, ndërsa askush nuk u njoh ndonjëherë me të ashtuquajturin projektvendim që “gjoja” Ministria e Financave po e përgatiste për t’ia kaluar qeverisë për miratim, pas zgjedhjeve. Pavarësisht premtimeve, që sot vetëkuptohet që ishin tërësisht elektorale, burime nga Ministria e Financave sqarojnë për gazetën “Shqip” se projektvendimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve është anuluar. Tingëllon çuditshëm anulimi i një projektvendimi që praktikisht nuk ka ekzistuar asnjëherë, duket më shumë si një justifikim i rastit, vetëm e vetëm për të mos pranuar që Financat nuk kanë para.
Zyrtarë të ministrisë sqarojnë se rritja e pagave dhe pensioneve do t’i lihet në dorë qeverisë së re, kur të marrë drejtimin në muajin shtator, me argumentin se nuk kanë tagër ligjor për të marrë vendime.
Në rang vendi numërohen rreth 90 mijë buxhetorë, pra punonjës në shtet dhe rreth 550 mijë pensionistë, kurse fatura për rritjen e pagave dhe pensioneve (sipas planit paraprak) ishte rreth 2.5 miliardë lekë.
Sipas rregullit buxhetor dhe ligjeve në fuqi, rritja e pagave dhe pensioneve duhet të ndodhë, pavarësisht vullnetit politik apo pamundësisë financiare të qeverisë, në të paktën sa niveli i inflacionit, pra indeksi, që mesatarisht është rreth 2.5 për qind. Pra, duke marrë skenarin më të keq, qeveria është e detyruar që t’i rrisë pagat dhe pensionet në raport me indeksin e inflacionit.
Megjithatë, Berisha kishte premtuar se do t’i rriste pagat dhe pensionet me 2-3 herë më shumë se inflacioni, pra nga rritja e çmimeve. Sipas projektvendimit, rritja llogaritej duke nisur nga 2 deri në 5 për qind, sipas kategorive, ku për nivelin e lartë të drejtuesve të shtetit nuk do të kishte shtesa, kurse përfitimin më të madh do ta kishin punonjësit me pagën më të ulët. Nëse vendimi merret në shtator, qeveria e re socialiste duhet të llogarisë efektet prapavepruese, pra të llogarisë shtesat, duke nisur nga muaji korrik, pavarësisht se kur merret vendimi, megjithatë kjo do të shihet në të ardhmen.
Rreth një muaj më parë, kryeministri Berisha deklaroi se rritja e pensioneve dhe pagave do të nisë nga data 1 korrik. Pavarësisht situatës në Eurozonë, Berisha tha se në skemë do të përfitojnë pensionistët dhe të punësuarit që kanë rroga të ulëta.
Kryeministri bëri të ditur se sipas vendimit që, sipas tij, po përgatitej, pensionet në qytet do të rriteshin me rreth 4 për qind, ndërsa pensionet në fshat me mbi 5 për qind. Po sipas premtimeve të qeverisë “Berisha”, edhe rrogat do të rriteshin me një mesatare prej 5 përqindësh, të shoqëruara me lëvizje minimale dhe maksimale, që do të thotë shtesë e vogël për pagat e larta dhe e anasjella për të ulëtat.
Madje, në fillim të qershorit, kryeministri theksoi se ky nuk është një vit elektoral dhe se ky vendim nuk ka asnjë qëllim tjetër përveçse një detyrimi të madh njerëzor dhe investimi së pari, në rroga, në burimet njerëzore dhe së dyti në mbështetje të pensionistëve, të cilët me gjithë këto rritje, kanë nevojë edhe për shumë e shumë më tepër.
Më datë 12 qershor, kryeministri Berisha zhvilloi mbledhje qeverie, në një orar të pazakontë, në orët e vona të mbrëmjes, për të miratuar në parim rritjen e pagave, pensioneve si dhe dhënien e dëmshpërblimit për të përndjekurit.
“Miratojmë në parim rritjen e rrogave dhe pensioneve. Rrogat do të rriten deri në 6 për qind dhe do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve. Ai nuk flet kurrë për rritje rrogash dhe pensionesh, ai flet thjesht për uljen e taksës, pavarësisht se do ta rrisë këtë taksë nga e cila lind vetëm kaosi ekonomik”, tha Berisha.
Tregtarët
Ulen çmimet, por nuk ka blerës
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
“Konsumi ka rënë, rreth 20 për qind. Nuk është si më parë”, thotë tregtari
Prodhimet vendase të stinës kanë mbushur tregjet duke frenuar importin e shumicës së produkteve që gjatë vitit tregtarët i sigurojnë nga jashtë. Sipas tyre, në këtë periudhë të vitit, 90 për qind e asaj çka tregtojnë është e prodhuar nga fermerët shqiptarë dhe kjo ka sjellë ulje të çmimeve për këto produkte.
“Çmimet janë ulur. Domatja p.sh. është ulur me 50 për qind”, tregon një tregtar. Por pavarësisht kësaj, tregtarët thonë se ulja e çmimeve nuk ka rritur kërkesën në treg. Përkundrazi, ata vërejnë ulje të fuqisë blerëse krahasuar me dy muaj më parë. “Konsumi ka rënë, rreth 20 për qind. Nuk është si më parë”, vijon tregtari. “Tani s’ka njerëz që vijnë të blejnë, jo dhe aq”, thotë një tregtare tjetër. Në tremujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë vlerësoi se qytetarët kanë vijuar të pakësojnë shpenzimet për konsum duke sinjalizuar thellim të krizës, tendencë kjo që me sa duket ka vijuar edhe gjatë këtyre muajve.
Tkurrja e të ardhurave të disponueshme, por edhe pasiguria e lartë për shkak të krizës, e kanë ndryshuar sjelljen e konsumatorëve në treg, që duken më të prirur drejt kursimeve.
SHQIP
Add new comment