Ministrat shqiptarë bojkotojnë seancën qeveritare Maqedoni-Serbi

Të hënën në Beograd do të mbahet seanca e përbashkët e kabineteve qeveritare të Serbisë dhe Maqedonisë, por ajo do të bojkotohet nga ministrat shqiptarë të qeverisë së Maqedonisë.
Burime pranë partisë shqiptare BDI theksuan për INA se asnjë nga ministrat shqiptarë nuk do të marri pjesë në këtë seancë të përbashkët qeveritare në Beograd. Kjo është konfirmuar edhe nga zëvendëskryeministri për evrointegrime i Maqedonisë, Fatmir Besimi, i cili ka theksuar se nuk do të jetë pjesë e kësaj seance.
Kjo, si shenjë e asaj që ndodhi me Samitin e Ohrit, ku Maqedonia nuk ftoi Kosovën prej presionit të Serbisë, çka pastaj solli anulimin e tij, pas bojkotit që bënë disa presidentë.
Por, zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev ka theksuar se mbledhje të tilla me nismën e Maqedonisë gjatë periudhës së ardhshme do të mbahen edhe me qeveritë e Bullgarisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Në fokusin e këtyre mbledhjeve do të jetë edhe bashkëpunimi ekonomik./b.l
TEMA
Add new comment