Meta:Koalicioni i majtë në sintoni. Berisha vazhdon të shohë ëndrra me sy hapur

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i ka kërkuar sërish kryeministrit Berisha të angazhohet për votimin e tre ligjeve të vendosura si kusht nga BE për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti.
“Nuk shoh asnjë arsye që z. Berisha të mos angazhohet seriozisht për këtë kompromis pa u nisur se nga kush vjen kjo ide dhe se nga kush vjen ky propozim në rast se atëherë duhet të besojmë se ai ka qenë i sinqertë dje kur ka deklaruar se duhet të bëjmë çdo gjë për të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti. Mundësia e vetme për ta realizuar këtë objektiv është që z. Berisha ta pranojë këtë propozim që unë kam bërë prej gati tre javësh”, ka thënë Meta.
I pyetur për deklaratën që Nasip Naço bëri dje në Berat, Meta ka deklaruar se objektivi kryesor i LSI-së është fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane. “Lidhur me deklarata të caktuara mendoj se ato nuk na shmangin nga objektivat kryesore që ne kemi dhe njëkohësisht sikurse u konfirmua edhe në Konventën e organizuar nga PS-ja koalicioni është në një sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të frymës së bashkëpunimit gjë që thellon çdo ditë fitoren e 23 qershorit”, ka thënë ai.
Pavarësisht insistimit të gazetarëve Meta nuk ka pranuar të flasë më konkretisht për çështjen e postit të kreut të qeverisë në rast fitoreje të koalicionit të majtë. “Ne kemi rënë plotësisht dakord që doktori të mos jetë më Kryeministër. Dhe ajo që është më e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë është fitorja e opozitës së bashkuar dhe kjo është një ngjarje plotësisht e sigurt dhe diferenca do të jetë e jashtëzakonshme, mbi 200 mijë vota. Çështjet e tjera janë në përputhje me të gjitha normat dhe rregullat e demokracisë. Marrëdhëniet tona me Partinë Socialiste janë mjaft konstruktive, natyrisht edhe me forcat e tjera të koalicionit opozitar, dhe të tilla do të vazhdojnë të jenë edhe pas 23 qershorit në mënyrë që ne t’i qëndrojmë besnik të gjitha atyre parimeve të cilat u firmosën në deklaratën e Shkodrës”, tha ai.
Meta i është përgjigjur dhe akuzave që kryeministri Berisha bëri në Gjirokastër duke deklaruar se diversionet e tij brenda së majtës nuk kanë asnjë të ardhme. “Unë, z. Berisha e kam ftuar pas 23 qershorit në emër të popullit të Beratit që të vijë si turist atje dhe ne do ta presim si turist pas 23 qershorit. Ndërsa, diversionet e tij brenda të majtës apo brenda opozitës, nuk kanë më asnjë të ardhme. Ai arriti që të qëndrojë për një kohë të gjatë në pushtet falë këtyre problemeve. Tani fillon një epokë e re në mëngjesin e 24 qershorit”, tha ai.
Në lidhje me KQZ-në, Meta ka deklaruar se opozita kërkon rivendosjen e besimit të këtij institucioni nëpërmjet dialogut dhe konsensusit dhe përë këtë Berisha duhet të marrë përgjegjësisë e tij.
“Qëndrimi ynë lidhur me çështjen e KQZ-së mbetet tepër parimor. Opozita nuk ka asnjë arsye të legjitimojë shkatërrimin e pavarësisë së këtij institucioni të bërë nga z. Berisha, ashtu sikurse është bërë e qartë që është e hapur që të rivendoset besimi te KQZ-ja dhe integriteti i këtij institucioni përmes një dialogu dhe konsensusi, ashtu sikurse u realizua kur u formua KQZ-ja. Është një çështje për të cilën z. Berisha duhet të marrë përgjegjësi sepse jemi i vetmi vend në rajon, i cili ende ka një problem të tillë, ku kemi një gjysmë qeveri zgjedhjesh, e kam fjalën për KQZ-në, dhe njëkohësisht e fillojmë këtë proces me një shqetësim për standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit, gjë që natyrisht nuk e pengon opozitën, sikurse nuk e ka penguar, për të fituar në mënyrë tepër bindëse. Në fund të fundit të gjithë po ndërgjegjësohen se një rotacion i qartë si ai që do të ndodhë më 23 qershor, jo vetëm që do të ndihmojë Shqipërinë për të hyrë në një epokë të re, në një perspektivë të re, por po kështu edhe mund të eklipsojë problemin e KQZ-së dhe probleme të tjera që po na i lë Berisha lidhur me standardin e zgjedhjeve”, tha ai.
SHQIP
Add new comment