Meta takon delegacionin e OSBE: Maxhoranca dhunoi KQZ-në, duhet të reflektojë

TIRANE- Kreu i LSI-së, Ilir Meta akuzoi maxhorancën për situatën e krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ndërsa tha se opozita është e gatshme të japë kontributin e saj në zgjidhjen e situatës. Deklarata e Metës u ba gjatë takimit të tij me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së që gjendet në Tiranë.
“Integriteti i këtij institucioni është cenuar në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë nga ana e mazhorancës aktuale. Eshtë e rëndësishme që të rivendoset konsensusi dhe besimi te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke i rikthyer legjitimitetin këtij institucioni. I takon mazhorancës të tregojë reflektim, të tregojë përgjegjshmëri në këtë drejtim”- tha Meta, ndërkohë që garantoi delegacionin e OSBE-së që opozita shqiptare është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së theksuan rëndësinë e madhe që kanë këto zgjedhje, që Shqipëria të avancojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian duke treguar në këtë mënyrë funksionim të institucioneve demokratike në vend.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ishte i përbërë nga, Roberto Battelli, Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, i caktuar nga Kryetari i Radhës së OSBE-së, si Koordinator Special i misionit te vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, si dhe Ambasadori, Andreas Nothelle, Drejtor i Zyrës Ndërlidhëse të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në Vjenë. Ky delegacion ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve takime me drejtuesit më të lartë të shtetit në vend.
PANORAMA
Add new comment