Meta: Nuk do të jem avokat i opozitës, por avokat i Rregullores

Postuar në 13 Shtator, 2013 10:12

Kryetari i ri i Kuvendit, Ilir Meta i ofron opozitës së djathtë bashkëpunim në jetën parlamentare, duke e garantuar atë në të njëjtën kohë se Rregullorja do të jetë udhërrëfyese e drejtimit të këtij institucioni. Në një intervistë për “Top Channel”, Meta duke ironizuar në njëfarë mënyre edhe deklarimet e paraardhëses së tij, Topalli, kur deklaronte se ishte avokate e opozitës, ka theksuar se ai do të jetë avokat vetëm i Rregullores. “Unë nuk do të përpiqem, në detyrën e kryetarit të Kuvendit, as të jem avokat i opozitës dhe as avokati i mazhorancës, por të jem një avokat sa më i drejtë i Rregullores, e cila për fat të mirë është miratuar me konsensus vetëm pak muaj më parë nga të gjitha forcat politike”, – tha Meta. Më tej ai ka theksuar se klasa politike duhet të tregojë dinjitet dhe shpirt europian, ndërsa nga ana e vet ka premtuar se do të jetë konstruktiv në marrëdhëniet me opozitën. “Do të përpiqem që në një frymë sa më konstruktive të bashkëpunoj ngushtë pa paragjykime me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare në mënyrë që ne të arrijmë, përmes përfaqësimit tonë në Parlament të reflektojmë vërtet atë dinjitet dhe shpirt europian që qytetarët tanë treguan në 23 qershor, duke marrë pjesë në një proces zgjedhor të standardeve europiane”, – tha Meta. Një detyrim më shumë për të respektuar opozitën, ai ka konsideruar edhe votimin e tij si kryetar parlamenti, ku arriti të marrë 8 vota më shumë sesa ka mazhoranca aktualisht në parlament. “Fakti që u arrit të merreshin më shumë vota se sa është numri aktual i mazhorancës të ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ në Kuvendin e Shqipërisë, vetëm se më detyron akoma më shumë për një frymë sa më konstruktive dhe gjithëpërfshirëse në drejtimin e Kuvendit”, – theksoi Meta. Duke u nisur nga fakti që në seancën e fundit plenare opozita braktisi sallën e Kuvendit, duke mos pranuar të dëgjojë prezantimin e programit nga kryeministri i ri, Meta ka theksuar se kjo nuk është rruga e duhur dhe se palët duhet të kenë durim që të dëgjojnë njëra-tjetrën në argumentet e tyre. Ndaj ai i ka kërkuar opozitës që të heqë dorë nga skenarët e bojkotit dhe të bëhet pjesë e debatit politikë parlamentar. “Dua të besoj se opozita e re do të qëndrojë larg frymës së bojkotit përmes pjesëmarrjes së saj. Natyrisht që parlamentarizmi kërkon edhe durim, kërkon edhe vetëpërmbajtje, sigurisht që nuk mund t’i shkrijmë partitë apo qeverinë edhe opozitën, sepse i shohim edhe çështjet nga dy këndvështrime të ndryshme, por duhet të kemi durim për të dëgjuar konsideratat politike të secilit, pavarësisht edhe kur nuk na pëlqejnë, sepse mendoj se në këtë mënyrë do ta çojmë përpara parlamentarizmin dhe do të uroja që të gjithë të përqendrohen në atë që duhet bërë dhe në atë që duhet bërë më mirë, në mënyrë që ne vërtet të arrijmë një parlamentarizëm të standardeve më të zhvilluara europiane, siç e meritojnë qytetarët dhe votuesit tanë”, – tha Meta.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.