Meta në Skrapar: Shiritat elektoralë që pret Berisha janë shumë më të gjatë se kilometrat e rrugëve të asfaltuara

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Beratit, Nasip Naço, ka zhvilluar një sërë takimesh me banorë të këtij qarku, takime në të cilat janë bërë bashkëbisedime për problemet që shqetësojnë komunitetin atje. Meta është ndaluar në mënyrë të veçantë në gjendjen në të cilën ndodhet rruga Berat-Çorovodë, e mbetur e papërfunduar prej vitesh.
Sipas tij, demagogjia e kryeministrit Berisha lidhur me sukseset e pafundme me rrugët e asfaltuara anembanë vendit përplaset çdo ditë me një realitet të dhimbshëm për shumë qytetarë kudo në të gjithë vendin. “Unë përmenda vetëm dy ditë më parë gjendjen skandaloze të rrugës nacionale Memaliaj-Tepelenë dhe sot më duhet të them këtu në hyrje të qytetit Çorovodë ku që nga viti 2005 ka ngelur papërfunduar rruga Berat-Çorovodë vetëm për tre kilometra, edhe pse kjo gjë është premtuar vazhdimisht gjatë këtyre tetë viteve nga ana e Partisë Demokratike dhe pse kjo gjë na është premtuar neve çdo vit me rastin e miratimeve të buxhetit të vitit në Kuvend si Grup Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe unë personalisht, edhe deputeti i Qarkut të Beratit dhe i Skraparit, z. Naço, kemi ngritur vazhdimisht këtë çështje e cila nuk ka marrë zgjidhje edhe sot pas këtyre 8 vitesh”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Z. Meta u zotua se Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i japë fund kësaj neglizhencë të jashtëzakonshme. “Ndaj më duhet të them përsëri me bindje të plotë se shiritat elektoralë që pret Kryeministri në largim janë shumë më të gjatë se kilometrat e rrugëve të asfaltuara që pretendohen. Ne jemi të angazhuar për t’i dhënë fund kësaj neglizhencë të jashtëzakonshme që i bëhet një komuniteti të tërë dhe njëkohësisht kësaj pengese madhore për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj për të shijuar bukuritë përrallore të kanioneve të Osumit”, tha ndër të tjera ai.
SHQIP
Add new comment