Meta: Me Bashën s’kam pasur raport të veçantë, me Berishën marrëveshje politike

Kryetari i LSI-së, njëherësh kryetar i Kuvendit, Ilir Meta deklaron se do të bëhet çdo përpjekje për të gjetur konsensusin deri të mërkurën, kohe kur publikohet edhe progres-raporti për Shqipërinë. I ftuar në Tonight Ilva Tare, Meta tha se një bojkot i opozitës do ishte me pasoja, jo vetëm për vendin, por do t’i sillte kosto dhe vetë PD-së. Ndërsa janë vetëm ditët e para të bashkëqeverisjes me kryeministrin Rama, ai shprehet për një jetëgjatësi të muajit të mjaltit mes tyre, të paktën për dy mandate.
Sa do zgjasë muaji i mjaltit me Ramën?
Ju e dini që marrëveshja e Shkodrës është një marrëveshje strategjike, i ka të gjitha mundësitë për të zgjatur për të paktën aq kohë sa Shqipëria të bëhet anëtare e BE, brenda dy mandateve. Kemi një marrëveshje të qartë, publike që është votuar edhe në 23 qershor. Ky koalicion e ka një Kryeministër që gëzon dhe mbështetjen e plotë të LSI.
Jeni shfaqur në këtë sezon të ri të politikës shqiptare më elegant, një gjuhë lutëse, i keni dhënë zonjës Topalli një zyrë në parlament, mbani dy fotografitë në zyrën tuaj në parlament të Presidentit Nishani dhe Ismail Qemalit, kujt i flisni në këtë gjuhë?
Unë u flas shqiptarëve në radhë të parë. Besoj se kemi ardhur në një moment për ti ngritur institucionet tona në një stad të ri. Këto të gjitha fillojnë nga parlamenti dhe unë jam i angazhuar që parlamenti të kthehet në një model të një funksionimi demokratik në interes të publikut. Kjo duhet të jetë produkt i të gjithëve, duhet të mësojmë nga gabimet që kemi bërë dhe të sjellim një standard më të qytetëruar dhe racional. Parlamenti nuk duhet të jetë një arenë e sforcuar politike, por institucioni që mbështet qeverinë dhe e kontrollon atë, e këtu rol të padiskutueshëm ka dhe opozita.
Po investoni një kapital të ri politik, a e kanë politikanët e tjerë këtë reflektim, po e bëni se doni të jeni lider i së majtës?
Ky pozicion nuk ka të bëjë me faktin se çfarë dua të jem unë, por me profilin që përfaqëson LSI, që e ka treguar edhe në të kaluarën. Edhe marrja e votave në 23 qershor erdhi pikërisht nga përçimi i këtij mesazhi, arritja më e madhe e kësaj mazhorance do jetë vendosja e një normaliteti. Unë do ta ftoja zotin Berisha të merrte disa merita për të kontribuar për një opozitë sa më konstruktive, që vjen me propozime, reflekton për disa çështje dhe të kontribuojë për të pasuruar këtë trashëgimi pozitive në proçesin e integrimit.
Sa ndikues jeni në qeverisjen e Ramës?
LSI përfaqësohet me emra të spikatur në qeveri dhe ka angazhimin e plotë për të ndikuar në mënyrën sa më pozitive për arritjen e përbashkët të suksesit së kësaj qeverie.
Pse të gjithë duan të jenë me LSI?
Të gjithë duhet të jenë sa më pozitivë me njeri-tjetrin, shoqëria jonë është e lodhur nga një konfliktualiteti pa fund. Kjo mazhorancë ka të gjitha mundësitë për të mos bërë gabimet e mazhorancave të mëparshme, por të bëj të mundur bashkimin e energjive pozitive, madje edhe të opozitës.
Pse nuk po u kritikojnë për emërimet tuaja?
Për mua është e rëndësishme që qeverisë ti japim mundësinë në emrat e rinj, nuk duhet të nxitohemi për të paragjykuar. Është koha që do të konfirmojë aftësitë e gjithsecilit dhe kapacitetet për të justifikuar besimin e dhënë. Kjo është një qeveri me shumë energji, ka një dinamikë mjaft domethënëse, shumë prej drejtorëve kanë vetëm pak ditë që janë emëruar dhe ka lëvizje.
Kriteret, a u ndoqën në pranim?
Nuk mendoj që këto emërime janë bërë jashtë kritereve.
Zëdhënësja e PD reagoi 2 orë më parë, si e lexoni mesazhin e saj?
Zoti Basha do të ishte mirë të kishte pranuar ftesën e Kryeministrit Rama për tu takuar, ku të shprehte dhe mendimet e tij. PD do ta ketë mundësinë t’i shprehë mendimet e saj edhe në komisione në ditët në vijim.
A e dëmton zotin Basha fakti i të qenit jashtë parlamentit?
PD nuk ka një mesazh të qartë për të ardhmen, thjesht mesazhe kontestuese dhe refuzuese.
Pse e quajtët zotin Berisha bashkëkryetar?
I bëra një komplimet zotit Berisha, pasi më konsideroi bashkëkryeministër.
Si janë marrëdhëniet tuaja me zotin Basha, ka miqësi në politikë?
Zoti Basha është mjaft i respektuar nga ana ime, edhe si kryetar i PD-së dhe bashkisë së Tiranës. Lidhur me aludimet, që nga 1 prilli nuk kemi pasur kontakt të veçantë. Këto aludime nuk qëndrojnë, me Bashën s’kam pasur ndonjë raport të veçantë, por një marrëveshje politike me kreun e PD-së asokohe, Sali Berishën.
A po shkon PD drejt një bojkoti, cila do jetë kostoja?
Do jetë me kosto për vendin, por dhe vetë PD. Nuk ka arsye serioze për të bojkotuar parlamentin. Unë jam i hapur për të krijuar të gjitha hapësirat që bashkëpunimi të shtohet, qeveri ka qenë e hapur për të kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim, por PD është sovrane në vendimmarrjen e saj.
Të mërkurën do jepet progres-raporti nga Brukseli, ka gjasa të zgjidhet ngërçi deri të mërkurën?
Ne do të shpresojmë deri në minutën e fundit për reflektim dhe mirëkuptim. Vendi do vazhdojë të jetë i qëndrueshëm dhe të ecë përpara edhe në rrugën e integrimit. Nga mënyra sesa ndihmojmë edhe në këtë proces do të gjykohemi nga qytetarët tanë.
A ishte rasti i SHQUP një provokim për mazhorancën dhe ju e shmangët?
Marrja e vendimit të qeverisë së zotit Berisha ishte jashtë çdo lloj normaleje, për të shndërruar të vetmin institucion që i kishte mbetur ushtrisë në seli partie. Kjo solli kontestime të ndryshme nga politika, mediat, ushtarakët, por sigurisht kjo nuk është çështja prioritare e kësaj qeverie. Qëllimi nuk është për të krijuar konflikt me PD, apo për ti krijuar probleme në punën e saj. Qeveria që iku ka marrë shumë vendime të gabuara dhe të papërgjegjshme. Në tre muaj ka marrë vendime më shumë sesa në 8 vjet dhe këto do të vlerësohen rast pas rasti me objektivitet. Është koha që PD të mos bëjë ato gjëra që ka kritikuar përgjatë këtyre viteve.
Cilat janë vendet që kanë më shumë hezitim për t’i dhënë statusin Shqipërisë?
Nuk bëhet debati për një raport të BE me Shqipërinë. Do të gënjenim veten nëse mendojmë se ata mezi po presin që të na pranojnë sapo ne të bëjmë dy apo tre gjëra. Kjo është një e vërtetë. Ka një skepticizëm sa i takon çdo vendimi në favor të zgjerimit, për ne me rëndësi është të bëjmë detyrat tona si vend, si mazhorancë dhe opozitë dhe secili duhet të bëjë më të mirën. Çfarë do ndodh? Shpresojmë që për më të mirën, padyshim që Shqipëria do marrë statusin, është çështje muajsh.
Kryetar i një parlamenti ndër më problematikët?
Me rëndësi për mua është mbarëvajtja e parlamentit, etika në funksionimin e tij, frymë sa më konstruktive në funksionim e Kuvendit, një administratë sa më profesionale në Kuvend. Sjelljen e çdo deputeti e gjykon qytetari me votën e tij.
Cili është vizioni juaj për drejtësinë?
Besoj shumë që vizioni ynë është rritja e besimit tek drejtësia. Ku roli i Kryeministrit, Ministrit të Drejtësisë , Kuvendit dhe Presidentit është shumë i rëndësishëm për ndërmarrjen e një sërë reformash për të vendosur sundimin e ligjit.
21 janari, cili është mendimi juaj?
Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj dhe duhet të mbështetet nga të gjithë për të thënë fjalën e saj. Është një gjykim që vazhdon.
Taksa progresive, cili është mendimi juaj?
Nuk do të vendoset në asnjë rast apriori, qeveria është në hetim të gjendjes ekzistuese të financave të vendit, pas kësaj do diskutohet dhe do ndërmerren vendimet e duhura.
Shekulli
Add new comment