Meta mbështet biznesin fason: Do të rritim prodhimet ‘Made in Albania’

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka shprehur mbështetjen e tij ndaj biznesit fason, gjatë vizitës që bëri ditën e sotme në një fabrikë për përpunimin e veshmbathjeve në njësinë nr.4 në kryeqytet. Meta i ka cilësuar fasonët, si një sipërmarrje mjaft të rëndësishme për ekonominë e vendit.
“Është kënaqësi të jem në një ndërmarrje që punëson mjaft gra dhe vajza. Por e cila edhe eksporton dhe kjo është një gjë mjaft e rëndësishme për ekonominë e vendit. Biznesin fason mban një peshë shumë të rëndësishme në këtë drejtim. Gjëra pozitive janë bërë edhe gjatë këtyre viteve të fundit, siç është heqja e taksës doganorë për lëndët e para të importit, për heqjen së fundit të TVSH-së për makineritë dhe pajisjet apo edhe bërja zero e taksës së sheshtë për pagat deri në 30 mijë lekë të reja, por duke qenë se është një biznes fason që punëson jashtëzakonisht shumë gra e vajza dhe ka një impakt të jashtëzakonshëm social është shumë e rëndësishme për të ndërmarrë iniciativa të tjera që e zgjerojnë dhe e përkrahin akoma më tej këtë aktivitet”, tha Meta.
Gjithashtu kreu i LSI-së premtoi kredi të buta për blerjen e makinerive dhe pajisjeve për fasonët, teksa theksoi se rritja e prodhimit dhe eksporteve është e vetmja rrugë për fuqizimin e ekonomisë sonë.
Meta theksoi më tej se objektivi i LSI-së është që deri në 2017-n të dyfishohen eksportet dhe të arrijnë deri në 40% të prodhimit të brendshëm bruto, duke rritur njëkohësisht edhe prodhimin së bashku me markat “Made in Albania”.
“Angazhimi ynë është që në katër vitet e ardhshme të garantohet një mbështetje më e madhe sidomos më kredi të buta me interesa deri në 3% për të zgjeruar biznesin fason dhe njëkohësisht për të garantuar sa më shumë grante veçanërisht përsa i takon blerjes së makinerive dhe pajisjeve për biznesin fason. Për ne është shumë e rëndësishme që të realizojmë një cikël të mbyllur brenda vendit dhe të rritim prodhimin dhe markat ‘Made in Albania’. Rritja e prodhimi dhe eksporteve është e vetmja rrugë për fuqizimin e ekonomisë sonë dhe objektivi ynë është që deri në 2017-n të dyfishohen eksportet, që do të thotë që eksportet të arrijnë në vitin 2017 deri në 40% të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo do të thotë njëkohësisht edhe garantimi i rritjes së punësimit dhe i qëndrueshmërisë së punësimit”, shtoi Meta.
SHEKULLI
Add new comment