Meta: Më 21 janar isha në shtëpi, taksa progresive, problem për biznesin

Kryetari i LSI-së rrëfen arsyet që e shtynë drejt kampit të majtë, komenton qëndrimet e Gjinushit, Majkos e Topit dhe shpreh mendimin e tij për Ramën kryeministër. Për 21 janarin? “Qëndrimi im është i pandryshuar, është drejtësia ajo që duhet ta zbardhë dhe të vërë përgjegjësit para drejtësisë. Unë si person i kam çuar çështjet me drejtësinë deri në fund, kam fituar 5 me 0”.Ilir Meta i jep fund gjuhës “diplomatike” me kryeministrin Berisha, mbështet pa ndonjë entuziazëm ‘Rilindjen’ e Ramës dhe rrëfen se mbi të gjitha ishte koha ajo që e shtyu sërish drejt kampit të majtë. I ftuar në studion e “360 Gradë” të Artur Zhejit, në të njëjtën kohë kur Rama intervistohej në “Top-Story”, Meta dha një përgjigje të prerë: koalicioni PS-LSI do të fitojë me 200 mijë vota diferencë. Kryetari i LSI-së iu përgjigj negativisht pyetjes për një rikthim të mundshëm tek Berisha, nëse ky mbante pushtetin. “Absolutisht, ne kemi përcaktuar me koalicionin parazgjedhor edhe për një pozicion paszgjedhor. Probabiliteti për pozicion centrist është zero”, – tha Meta. Gjatë ditëve që pasuan marrëveshjen është folur shumë për një rivalitet Rama-Meta për postin e kryeministrit, por kryetari i LSI-së duket se e ka të qartë rendin e gjërave. “Nuk mendoj se Rama është eksperiment. Ndryshimi është i domosdoshëm”, – tha ai, duke marrë si shembull rastin e Spanjës e duke pohuar se ai ka eksperiencën e duhur në ekzekutiv. Por Ilir Meta nuk ka ndryshuar qëndrim për taksën progresive. “Do merren vendimet më të mira, për të garantuar drejtësi sociale, siguri të biznesit dhe më shumë vende pune. Unë anoj tek politika e taksave që rrit punësimin në vend; rritja e tatimfitimit mbi normën që është në vendet fqinje mund të krijojë probleme me investitorët e huaj”, – tha ai.
Aleanca dhe 21 janari
Ilir Meta është pyetur për 21 janarin dhe nëse ka ndryshuar qëndrim për këtë ngjarje.
“Qëndrimi im është i pandryshuar, është drejtësia ajo që duhet ta zbardhë dhe të vërë përgjegjësit para drejtësisë. Unë si person i kam çuar çështjet me drejtësinë deri në fund, kam fituar 5 me 0. Më 21 janar kam qenë në shtëpi”,- u përgjigj ai. Meta ka komentuar më tej edhe qëndrimet kundër për aleancën me Edi Ramën të Skënder Gjinushit, Pandeli Majkos apo Bamir Topit, të cilët përgjatë këtyre ditëve kanë satirizuar në mënyrën e tyre. “Profesori e ka pasur eksperiencën e parë të bashkëpunimit që në ’92, më pëlqen që e zhvillon fantazinë e tij më tej”, – tha Meta për Gjinushin, ndërsa ka shtuar se nuk e ka kuptuar fare Majkon. Sa për shprehjen e Bamir Topit, se koalicioni i majtë është si anije e mbushur me ujë, Meta u përgjigj: “Nëse është busulla e çorientuar, ai është me fat që ka kamerdare”. Kryetari i LSI-së ka shtuar më tej se zërave për prishjen e imazhit të qeverisë së Berishës u përgjigjet me buzëqeshje dhe vota.
Anëtari i KQZ
Aksioni i shpejtë i Berishës për të liruar anëtarin e KQZ-së, që u propozua nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ka trazuar keqaz ujërat mes dy ish-aleatëve. “Absolutisht. Kjo mënyrë si po veprohet është për të prishur zgjedhjet”, – tha Meta, i cili nuk hezitoi të drejtonte gishtin e akuzës ndaj Kryeministrit. Ai tha se me këtë akt po prishet parimi për pavarësinë e institucioneve, duke u kthyer në një precedent të rrezikshëm dhe duke prishur imazhin e zgjedhjeve që në këtë fazë.“Ai është një reagim i pamatur. Po të më kishte thënë kur jam ndarë me të, që unë kam vendosur të bëj këtë zgjedhje për këtë arsye, unë do ta kisha zgjidhur këtë punë. Kjo mënyrë veprimi është një mundësi për të prishur zgjedhjet dhe është shumë e gabuar. Në qoftë se gjendet një referencë ligjore që duhet të bëhet ky zëvendësim, le të bëhet menjëherë. Por nëse bëhet me forcë, se ne nuk duam t’ia dimë për ligj, se jemi të fortë, atëherë kjo ka të bëjë me integritetin e procesit zgjedhor”, – tha Meta, i cili bëri thirrje për reflektim dhe për të mos e kthyer në fakt këtë aksion që është shtyrë për të hënën në Kuvend. Në intervistën për Artur Zhejin, Meta është pyetur edhe për dështimin e një ‘Poli të Tretë’ dhe për faktin se pse nuk doli vetëm në zgjedhje. “Natyrisht kjo ka qenë një periudhë e ngarkuar me përpjekje dhe bisedime. Mendoj në tërësi që raportet nuk ishin të tilla për të patur atë lloj mirëbesimi dhe të njëjtën gatishmëri nga të gjithë aktorët për ta realizuar një qëllim të tillë. Së dyti, duhet të keni parasysh që LSI në dy zgjedhje ka garuar e vetme, në 2005-ën dhe 2009-ën. Në vitin 2005 u penalizua dhe në vend të merrte 13 deputetë, mbeti me 5 deputetë dhe në vitin 2009 për shkak të Kodit Zgjedhor mbeti me 4 deputetë. Mendoj se përcaktuese ka qenë vetë koha. Gjate gjithë kësaj kohe nga ana jonë ka patur një refleksion. Ka patur një apel kohët e fundit, publik por edhe jo publik më parë, nga e majta europiane, ndaj e thashë dhe më përpara që koha është faktori madhor dhe solli këtë moment bashkëpunimi”, – tha ai.
MAPO
Add new comment