Meta: Koalicioni pas 23 qershorit, në bazë të votës

- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, takon ambasadorët e vendeve të BE-së, informim për 23 qershorin. Përgjigje, Ramës: Koalicionet e ardhshme do të kenë në themel të tyre votën e qytetarëve.
Herion Mesi
-LSI nuk del nga qeveria para mbarimit të mandatit dhe do të vendosë për koalicionin në bazë të votave që do të marrë. Këtë e bëri të qartë Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dje pas një takimi me ambasadorët e akredituar në vendin tonë, si dhe me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi. Tema kryesore e diskutimit mësohet se kanë qenë zhvillimet më të fundit në vend dhe situata politike në këtë periudhë paraelektorale. Ndërkohë në një prononcim për mediat menjëherë pas përfundimit të këtij takimi, Meta shprehu angazhimin e qartë të LSI-së për avancimin e procesit të integrimit, si dhe për një proces maksimalisht transparent dhe të ndershëm zgjedhor.
Prononcimi
Z. Meta, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është shprehur dje se është i gatshëm të bashkëpunojë me LSI-në nëse ju shkëputeni nga mazhoranca. Reagimi juaj?
Ne e respektojmë mendimin e cilitdo. Qëndrimet tona kanë qenë publike dhe do të mbeten të tilla. Ne jemi të angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet tona në këtë mazhorancë dhe në këtë qeverisje dhe jemi shumë të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike, duke përfshirë këtu natyrisht edhe Partinë Socialiste, për të çuar përpara proceset e integrimit evropian, për të miratuar 2 ligjet dhe Rregulloren, aq më tepër që ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm edhe për krijimin e Gjykatës Administrative, që kërkohet edhe nga komuniteti ynë i biznesit, nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga investitorët e huaj. Natyrisht, që koalicionet e ardhshme do të kenë në themel të tyre votën e qytetarëve shqiptarë.
“Tre kushtet për Statusin janë më të rëndësishme se kushtet e Ramës. LSI e angazhuar për avancimin e procesit të integrimit, si dhe për një proces maksimalisht transparent dhe të ndershëm zgjedhor”
SHEKULLI
Add new comment