Meta: Ikëm me PS-në se jemi për ndarje pushtetesh

TIRANË Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Ilir Meta deklaroi të mbyllur marrëveshjen me PD-në. Me fillimin e zbatimit të një marrëveshjeje të re me PS-në, kryetari i LSI-së theksoi se një lëvizje e tillë synon t’i japë vendit një frymëmarrje të re demokratike dhe bashkëpunimi. Duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të 2009-ës, që solli për pasojë edhe vendimin surprizë të LSI-së, Meta tha se koalicioni me PD-në asokohe ka qenë i papritur, i paparashikuar dhe i panatyrshëm. “Megjithatë, absolutisht që ka qenë një vendim i drejtë, i imponuar nga interesi i vendit, i stabilitetit të tij dhe besoj se koha na ka dhënë plotësisht të drejtë në këtë vendim. Ne kemi treguar qartë se jemi një forcë politike e përgjegjshme, atdhetare, serioze, që u përmbahemi marrëveshjeve…Ne nuk kemi asnjë qejfmbetje dhe asnjë pakënaqësi me Partinë Demokratike, absolutisht. Ne i kemi qëndruar korrekt marrëveshjes, e kemi bërë të qartë me kohë që një koalicion midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike në zgjedhje politike ishte i panatyrshëm…”, – tha ai. Kryetari i LSI-së tha se bashkëpunimi me PS-në mund të japë një kontribut të madh për perspektivën europiane të vendit, por jo vetëm kaq. “Nuk mund ta refuzojmë, përveç edhe shumë arsyeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e një ekuilibri të ri politik në vend dhe të një ndarjeje të re të pushteteve në vend. Këtu nuk e kam fjalën për ndarjen e pushtetit ekzekutiv, por
për ndarjen e pushteteve të cilat kanë të bëjnë me kolonat e shtetit, sepse qëndrimi i pushteteve në dorën e një partie të vetme natyrisht që nuk është e shëndetshme për demokracinë, por është një shqetësim dhe një problem për të”, – tha ai
MAPO
Add new comment