Meta: Berisha le ta mbajë siç e ka KQZ-në

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka bërë të qartë se opozita nuk do të pranojë propozimin e kryeministrit Sali Berisha për zgjidhjen e ngërçit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Nëse nuk ka rikthim të integritetit të KQZ-së nuk ka arsye pse të bëhemi pjesë. Le të vazhdojë kështu siç është, ta mbajë KQZ me katër anëtarë”, u shpreh Meta gjatë intervistës dhënë gazetarit Ilir Babaramo për A1 Report.
Kreu i LSI-së akuzoi Berishën se që tani ka kompromentuar procesin zgjedhor, por nga ana tjetër u shpreh se kjo nuk do ta pengojë opozitën që të fitojë zgjedhjet. “Përpjekjet e mazhorancës edhe përmes ndërhyrjeve në KQZ, edhe përpjekjeve të tjera për të përfshirë shërbimin informativ, segmente të Policisë së Shtetit, administratës, nuk janë tregues pozitiv i vullnetit të qeverisë për të mos ndërhyrë në këtë proces por të gjitha këto nuk na pengojnë për të arritur objektivat tona”, nënvizoi Meta.
Meta u pyet edhe lidhur me debatin se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm me ardhjen e opozitës në pushtet. Ai theksoi se, “gara e vërtetë është me mazhorancën e kryeministrit Berisha.” Lidhur me pozicionin e kryeministrit të ardhshëm, ky post tha ai zgjidhet me “kushtetutë dhe votë”.
“Kushtetuta tregon se si ndërtohet dhe formohet qeveria e re. Nuk do të ketë asnjë problem serioz për të vazhduar këtë marrëdhënie konstruktive që nga marrëveshja e Shkodrës”, shtoi kreu i LSI-së. Nga ana tjetër ai mohoi kategorikisht mundësinë e një koalicioni me Berishën pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
SHEKULLI
Add new comment