MBYLLENI SHPEJT SKANDALIN E PASAPORTAVE

Organet e drejtësisë e kanë shumë lehtë ta zgjidhin rastin e humbjes së 1.4 milionë eurove. I kanë krejt dokumentet dhe dëshmitë e nevojshme. Për këtë punë, vullnetarisht kam dhënë edhe një deklaratë në EULEX. Le t’i kapin përgjegjësit dhe t’i dënojnë. Nëse deri të premten nuk gjejmë zgjidhje me kompaninë austriake, shpallim tender të ri për prodhimin e pasaportave biometrike. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, flet për Express.
Express: A do të jepni dorëheqje pas gjithë këtyre që kanë ndodhur?
B. Rexhepi: Jo, për këtë madje mos më pyesni më kurrë, s’e kam ndërmend të ndërroj mendje.
Express: Çfarë ka ndodhur saktë rreth aferës së pasaportave. Ka pasur shumë deklarata nga ish të suspenduarit, nga e dyshuara Natali Velijaj e shumë persona të tjerë. A ishit në dijeni për gjithçka çka ka ndodhur me tenderin e pasaportave?
B. Rexhepi: Isha plotësisht i bindur se procesi i tenderimit është krejt i pastër. Nëse komisioni për vlerësim ka punuar pas shpinës - siç deklaroi njëri tash së fundit - mua më është prezantuar fituesi i cili i ka pasur kushtet më të mira, pra kompania austriake. Kur shkuam në Vjenë që ta shtypim pullën për fillimin e prodhimit të pasaportave, e ku kishim një takim të shkurtër pune, kam deklaruar dhe vazhdoj të qëndroj pas asaj se jam shumë i kënaqur që ky tender ka shkuar shumë pastër. Atyre u thashë edhe diçka: nëse dikush rastësisht u kërkon para ose diçka tjetër, dijeni se janë jashtë suazave, pasi ju keni fituar sepse ishit ofertuesi më i mirë.
Express: Po pas kësaj doli Natali Velijaj dhe i deklaroi të gjitha...
B. Rexhepi: Doli që ajo ka biseduar me zyrtarë të kompanisë austriake dhe zyrtarë të MPB’së dhe këto janë çështje të hetimeve, unë nuk dua të spekuloj.
Express: A e dini ju si Ministër se kush janë zyrtarët e MPB’së të përfshirë në këtë aferë?
B. Rexhepi: Jo, nuk e di. Unë kam bërë një deklaratë vullnetare në Prokurorinë e EULEX’it, për t’i shpjeguar procedurat se si kanë shkuar, që ky rast të përfundojë sa më shpejt. Nëse dikush është i involvuar në korrupsion, ta marrë dënimin e merituar. Unë i kam hapur dyert për EULEX’in, kam insistuar që hetimet të kryhen sa më shpejt, dhe nëse dikush ka keqpërdorur, të ballafaqohet me drejtësinë. Të hapur jemi për gjithë dokumentacionin për procedurën e tenderit dhe çdo punëtor i MPB’së ka qenë i gatshëm për ballafaqim dhe hetime.
Express: Sipas kësaj që thatë, ju nuk keni qenë në dijeni për këtë aferë?
B. Rexhepi: Absolutisht jo. Unë këtu nuk kam pasur kurrfarë pjesëmarrje. Për mua ka qenë sinonim i një tenderi të pastër. Çka kanë bërë është çështje e hetime.
EXPRESS
Add new comment