Mblidhet Kryesia e PS, Vangjel Dule do propozohet për nënkryetar Kuvendi

Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste, ku u diskutua për emrat që do propozohen për të drejtuar komisionet parlamentare. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është propozuar për nënkryetar të Kuvendit.
Ndërsa deputeti Fatmir Xhafaj, ashtu siç pritej, do të drejtojë Komisionin e Ligjeve, më të rëndësishmin e Kuvendit. Deputeti Erion Braçe do të drejtojë Komisionin e Ekonomisë, Arta Dade pritet që të drejtojë Komisionin e Jashtëm të Kuvendit, Eduard Shalsi do të jetë kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese.
Ndërkohë pritet që kryesia në një mbledhje tjetër të vendosë për kryetarin e Komisionit të Sigurisë, nëse do ia japë LSI-së apo ndonjë aleati tjetër.
Mbledhja e kryesisë zgjati për rreth një orë, ndërkohë që mësohet se nuk ka pasur debate.
SHQIP
Add new comment