Mblidhet Eurogrup, Greqia pret dritë jeshile për 44 mld euro

Postuar në 20 Nëntor, 2012 05:51

Eurogrupi do të arrijë sot një marrëveshje në parim për t’i hapur rrugë lëvrimit të këstit të kredisë për Greqinë, me kusht që kjo e fundit të plotësojë gjithë detyrimet e mbetura. 

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Reuters, që citon burime zyrtare evropiane. 

Reuters njofton se ministrat e financave të eurozonës do ta hapin sot dritën jeshile për lëvrimin e 44 miliardë eurove për Greqinë dhe paratë do të paguhen më 5 dhjetor, në qoftë se vendi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij. 

Hapja e rrugës për lëvrimin e 44 mld eurove do të shoqërohet me diskutimet për reduktimin e borxhit grek dhe për dhënien e dy vjet shtesë që vendi të përmbushë objektivat fiskale, çështje për të cilat FMN dhe BE kanë mospërputhje në qëndrime. Pasi ministrat e financave të eurozonës të japin në parim dritën e gjelbër për lirimin e këstit, propozimet e tyre se si mund të zvogëlohet borxhi grek dhe si të sigurohet ndihma shtesë për Athinën, do të dërgohen në parlamentet e vendeve anëtare të zonës euro për miratim, deri në 30 nëntor. Kjo do t'i japë Greqisë më shumë kohë, për të përfunduar disa veprime të kaluara që janë në pritje për zgjidhje.

Deri më 28 nëntor huadhënësit do të kontrollojnë nëse reformat e tjera do të zbatohen në Greqi dhe ministrat e financave do të marrin vendimin përfundimtar për pagesën e këstit më 4 dhjetor, ndërsa Greqia do t’i marrë paratë më 5 dhjetor. 

Ndërkohë në Athinë, pas Samitit të Eurogrupit pritet një takim i liderëve politikë për të hapur debatin mbi riorganizimin e qeverisë, ku priten ndryshime të ndjeshme.

 

Balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.