MB shkurton numrin e punonjësve të administratës

Postuar në 26 Shtator, 2013 09:05

Ministria e Brendshme është përballë një reforme të fortë, ku çdo strukturë e saj do të ndryshohet deri në qelizë, me qëllim që të shfryhet nga numri i lartë i punonjësve. 

Për këtë gjë është përgatitur një draft nga një grup pune dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pritet ta paraqesë në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar. 

Gjashtë drejtori do të shkrihen, të cilat pritet të kthehen në agjenci ose në sektorë, por që do të ketë edhe kalim strukturash nga një institucion në tjetrin. Ndërkohë, numri i punonjësve të administratës, të cilët nuk do të kenë varësi nga ministri, do të jetë vetëm 100 vetë. 

Gjithashtu, me rikonceptimin për strukturën e Ministrisë së Brendshme mësohet se dikasteri do t’i marrë policisë disa kompetenca, ndërkohë që do t’i japë disa të tjera. Draft projekti është publikuar nga gazeta “Shqip”

Shkrihen 6 drejtori

Nga drafti i përgatitur mësohet se të paktën gjashtë drejtori do të shkrihen në Ministrinë e Brendshme, ku disa do të kthehen në agjenci, ndërsa disa do të futen në varësi të drejtorive të tjera. Një prej tyre është pikërisht Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Në draft është propozuar që ajo të bëhet Agjencia Qendrore e Gjendjes Civile, si strukturë autonome, në varësi të Ministrisë së Brendshme. Sa i përket kësaj agjencie është kërkuar që Drejtoria e Automatizimit dhe Drejtoria e Dokumenteve dhe Procedurave të mbetet e pjesë e kësaj strukture. 

Po ashtu, pritet të shkrihet Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, e cila do të kthehet në Agjencinë Qendrore të Emergjencave Civile, si strukturë autonome në varësi të ministrit, por jashtë aparatit të ministrisë. Kjo agjenci pritet të ketë në varësi PMNZSH-në (e njohur si zjarrfikëset), por për këtë strukturë është sugjeruar që të jetë edhe në varësi direkt të ministrit të Brendshëm. Po ashtu, dy drejtori të tjera do të shkrihen plotësisht, pikërisht, ajo e Politikave të Pushtetit Vendor dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse.

Sipas të dhënave, të dyja do të kalojnë në varësi të sekretarit të Përgjithshëm, ku e para pritet të ndahet në tre sektorë. Ndërkaq, pritet të shkrihet edhe Drejtoria e Auditimit të Brendshëm dhe të përfshihet në Drejtorinë e Inspektimit të ministrit. Kurse, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara, meqenëse është strukturë e përcaktuar me VKM, propozohet të mbetet si e tillë, deri në një moment të dytë me synimin që në një kohë sa më të shkurtër të shpërbëhet si strukturë, sepse të gjitha agjencitë duhet të bëjnë vetë prokurimet e tyre, sipas cilësisë dhe nevojave specifike.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.