Mbërrijnë 14 muxhahedinë, 24 orët e para në qendrën e Babrrusë

Postuar në 17 Maj, 2013 09:17

Mbërrijnë në Tiranë 14 muxhahedinët e parë iranianë, të cilët ka pranuar t’i strehojë qeveria shqiptare. Lajmi është bërë i ditur nga i dërguari i OKB-së për Irakun, Martin Kobler, i cili tha se 14 muxhahedinët kanë mbërritur në Tiranë të mërkurën në mbrëmje. Sipas Kobler,  ky është hapi i parë i përpjekjeve për të sistemuar në Shqipëri 210 anëtarë të këtij grupi, për të cilët ka rënë dakord qeveria shqiptare. Anëtarët e grupit MEK, të cilët ndodheshin në kampin “Liria” në Irak janë strehuar prej së mërkurës në mbrëmje në qendrën e azilkërkuesve në Babrru të Tiranës, edhe pse vetë ata nuk kanë qenë shumë optimistë për këtë transferim. Një punonjës  i kësaj qendre i tha mbrëmë MAPO-s se muxhahedinët e parë janë strehuar tashmë prej 24 orësh aty. “Ata mbërritën mbrëmjen e së mërkurës, të shoqëruar nga një punonjëse e UNHCR-së. Gjatë ditës, një pjesë e tyre kanë lëvizur nga qendra të shoqëruar ”,- tha ai. Vetë punonjësi i qendrës ka shkëmbyer disa fjalë me muxhahedinët, të cilët e shohin Shqipërinë si trampolinë për t’u zhvendosur në shtete të tjera, ku kanë të afërm. “Njëri prej tyre më tha se nuk kanë ndërmend të rrinë gjatë në Shqipëri, por të shohim”, -shtoi më tej punonjësi i qendrës së azilkërkuesve në Babrru. Megjithatë, Kobler tha dje se ky është hapi i parë i përpjekjeve për të sistemuar në Shqipëri 210 anëtarë të këtij grupi, për të cilët ka rënë dakord qeveria shqiptare. Pranimi i propozimit të SHBA u bë nga kryeministri Berisha më 16 mars të këtij viti, në një takim me një zyrtare të lartë të Departamentit të Shtetit dhe përfaqësuesin e OKB-së në Irak, Martin Kobler. Menjëherë pas mbërritjes së muxhahedinëve në Shqipëri, ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka shprehur mirënjohjen për gjestin bujar e njerëzor për të pranuar 210 banorë të kampit Hyrriya. “Shqipëria ka qenë një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Irak”,- thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit. Organizata e Muxhahedinëve të Popullit Iranian ka deklaruar më herët se, se jeta e mbi 3000 muxhahedinëve në kampin Ashraf në Irak ka qenë në rrezik dhe për këtë arsye duhet të largoheshin të gjithë prej andej. Kështu një nga vendet që ka pranuar të strehojë disa prej tyre është bërë edhe Shqipëria. Që prej vitit 1979, organizata “Mojahedin-e-Khalq” është konsideruar nga autoritetet e Iranit si një lëvizje që përfaqëson “tradhtarët” e atdheut. Të strehuar në Irak, anëtarët e saj morën pjesë në krah të Sadam Huseinit në vitet ’80, gjatë luftës mes Irakut dhe Iranit. Në gjysmën e dytë të viteve ‘90, muxhahedinët u përfshin në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Për shumë vite me radhë, ajo është konsideruar si e tillë edhe nga Bashkimi Europian. Vetëm në 2009, Brukseli me një vendim të 27 vendeve anëtare vendosi t’i heqë nga lista e organizatave terroriste dhe në shtator të vitit 2012 një vendim i ngjashëm u mor edhe nga Shtetet e Bashkuara. Kjo organizatë është ndër themelueset kryesore të Këshillit Kombëtar të rezistencës iraniane, në opozitë me regjimin e presidentit Ahmedinexhad. Që prej vitit 2003, kur në Irak hynë trupat amerikane, mbi 3 mijë anëtarë të organizatës qëndrojnë të strehuar në kamp, nën mbikëqyrjen e forcave amerikane. Afër 400 prej tyre u transferuan vitin e kaluar në një ish bazë amerikane “Liria”, pranë Bagdadit, ku ata vetë janë ankuar për kushte tepër të rënda të jetesës, ndërsa organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, u ka njohur atyre statusin e refugjatit.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.