Mashtronin me pensionet, arrestohen 5 persona

TIRANE- Pesë persona kanë rënë në pranga për akuzën e mashtrimit. Në bazë të operacionit të koduar “Miks 2013” policia ka mundur të godasë një grup që mashtronin me pensionet duke i përvetësuar ato. Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi i 5 shtetasve: Shpëtim Lika, 35 vjeç, banues në Tiranë, ish punonjës në detyra të ndryshme pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, në kohën kur janë krijuar dosjet. Lumnije Dibra, 53 vjeç, banuese në Tiranë, specialiste tek ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Tiranë. Abaz Stafhasani, 69 vjeç, banues në Tiranë, Nexhat Nasufi, 68 vjeç, banues në Tiranë dhe Lirije Stafhasani, 58 vjeç, banues në Tiranë.
Mbi të rëndojnë akuzat e konsumimit të veprave penale të korrupsionit pasiv, korrupsionit aktiv, falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit të kryera në bashkëpunim. Zbulimi dhe goditja e këtij grupi u bë e mundur falë një hetimi të shtrirë në harkun kohor të rreth një viti e gjysmë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar dhjetra dosje pensionesh për persona të vdekur apo të krijuar fiktivisht, me qëllim përfitimin e tyre, ku vlera e pensionit mujor varionte nga 13.000 lekë në 18.000 lekë.
Ndërkohë që dosjet ishin plotësuar më vonë, koha e përfitimit të pensionit fillonte nga viti 1998, duke arritur kështu të përfitonin shuma të konsiderueshme. Ndërkohë strukturat e Policisë së Tiranës vjojnë hetimet edhe për 4 persona të tjerë, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Panorama
Add new comment