MASH: Mësuesit pa master nuk japin provimin e shtetit

Postuar në 18 Maj, 2013 03:59

 

 

Mësuesit e arsimit fillor nuk do të mund të japin provimin e shtetit, në rast se nuk kanë përfunduar më parë masterin shkencor. Diploma 3-vjeçare Bachelor për Mësuesi nuk do t’u shërbejë shumë arsimtarëve të rinj. Urdhri është dhënë pak kohë më parë nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Testimi për këtë kategori nis në muajin gusht, ndërkohë që në korrik do të testohen mësuesit që kanë mbaruar sistemin 4-vjeçar. Nga sa bëjnë me dije drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, këtë vit janë shtuar edhe disa profile të tjera, si gjuha greke apo ajo gjermane. Në total do te jepen 24 provime shteti të profileve të ndryshme për mësuesinë. Pjesë e provimit do të bëhen edhe ata studentë, të cilët kanë mbetur herën e parë.

“Në arsimin fillor kemi katër deri pesë kandidatë, të cilët janë sipas sistemit të integruar, ndërkohë që ata të sistemit të ri do të futen vitin tjetër në provim, sepse me urdhër të ministrit mësuesit e arsimit fillor do të jenë vetëm me master shkencor, jo me master profesional”, sqaron Niko Terezi, specialist për provimet e shtetit në MASH. Sa u përket pyetjeve, fondi duhet të përmbajë 1800 pyetje të pjesës profesionale, e cila mbulon 70% dhe 900 pyetje të pjesës didaktike që mbulon 30%. Kjo ka të bëjë me etikën në shkollë, kurrikulën, mënyrën e dhënies së mësimit. “Pra, janë gjëra që duhet të dinë të gjithë mësuesit dhe nuk ndryshojnë. Ndërsa drejtshkrimi ka 6% të pikëve, sepse është logjike që një mësues të dijë shqip.

Testi nuk do të ketë ndryshime esenciale”, tha Terezi. Pjesë e provimit do të bëhen edhe ata studentë, të cilët kanë mbetur herën e parë. “Të gjithë ata që mbetën një herë, kanë të drejtë ta japin 5 herë provimin e shtetit. Për këtë ata mjaftojnë të njoftojnë urdhrin përkatës që të hyjnë në provim. Ndërkaq, të gjithë urdhrat 15 ditë para duhet të sjellin listat e konkurrentëve”, tha Terezi. Mjekësia ka aktualisht nivelin më të lartë të kalueshmërisë, ndërsa mbetet i ulët niveli në Infermieri dhe Farmaci. “Mjekësia vijon të jetë profesioni më i avancuar, me kandidatë më të përgatitur. Megjithatë, edhe aty kalueshmëria ka rënë deri në 5 pikë. Tani ishte 79%, nga 82-85% që ishte në sezonet e mëparshme; Në Farmaci kemi një përqindje 47, megjithëse testi nuk ishte shumë i vështirë.

Kuptohet, tani ka kandidatë që e japin për herë të tretë apo për herë të katërt këtë provim. Edhe në Infermieri kalueshmëria tani është 43%”, tha Terezi. Ai sqaroi se, në këtë sezon provimesh, ata që kanë pasur kalueshmërinë më të mirë, kanë qenë fizioterapistët, një degë e re kjo në vendin tonë që po bëhet gjithnjë e më e kërkueshme. Provimin e shtetit duhet ta japin të gjithë të diplomuarit që duan të punësohen. Ata nuk mund të ushtrojnë profesionin, në rast nuk kalojnë në këtë provim.

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.