Masakër në Vlorë, tre të vrarë në plazh me kallash

Postuar në 29 Korrik, 2013 03:17

Masakër në Ujin e Ftohtë. Një person qëllon me breshëri kallashnikovi në drejtim të një personi tjetër duke lënë të vdekur në vend shënjestrën e tij si dhe dy persona të tjerë, të cilët u gjendën gabimisht në atë çast, në vendin ku ishte vendosur Sokol Isufaj, 34-vjeç, nga Roskoveci i Fierit. Nga plumbat kanë humbur jetën edhe Serdi Bajlozi vetëm 17 vjeç si dhe Diana Ademi, një pushuese e ardhur nga Gjermania. Gruaja mësohet se qëndron prej vitesh jashtë, ndërsa kishte zgjedhur vendlindjen e saj për të kaluar pushimet. Fillimisht është raportuar edhe për tre të plagosur, por në të vërtetë përveç tri viktimave të plumbave të kallashnikovit, mësohet se në spitalin e Vlorës kanë marrë mjekimeme dhjetëra persona. Asnjëri prej tyre nuk ka pasur plagë plumbash. Të gjithë pushuesit që janë gjendur në atë plazh në momentin e shkrehjes së armës, janë munduar të ikin me vrap duke u lënduar vetë dhe duke lënduar të tjerët. Përgjatë orëve në vazhdim pas vrasjes mësohet se është ngushtuar rrethi i personave të dyshuar, ndërsa për emrat e tyre nga Policia e Vlorës është lëshuar edhe një shpërblim. Në drejtim të qytetit të gjunjëzuar nga ajo vrasje barbare, nga Tirana mësohet se janë nisur ekspertë të Krimeve të Rënda, Forca Speciale, si dhe ekspertë nga shërbimet e inteligjencës. Kërkimet janë përqendruar në të gjithë zonën e Vlorës, ndërsa në rrugët dalëse post blloqet janë të drejtorive të tjera, kufitare me Vlorën. Policia beson në dy versione, që vrasja është për hakmarrje ndaj 34-vjeçarit subjekt i sulmit, ose për ndonjë sherr të momentit, ku dyshohet se në mes është konflikti për një femër. 

Mekanizmi i vrasjes 

Policia e Vlorës ka dalë mbrëmë me një deklaratë për mediat duke bërë të ditur ngjarjen e rëndë si dhe emrat e personave që kanë humbur jetën. Ndërkaq, referuar të dhënave nga grupi hetimor, mësohet se Sokol Isufaj ka qenë në plazh i shoqëruar me një person tjetër. Të dhënat flasin se personi që e shoqëronte Isufajn, është një person i njohur i tij, që mund të jetë edhe njeriu që do të japë sinjale për të ngritur saktë pistën hetimore. Pak metra më larg, mësohet se kanë qenë të vendosur dy burra, në shoqërinë e të cilëve ka qenë edhe një femër. Sherri ka nisur mes tyre pikërisht në kohën kur dy palët kanë qenë në plazh. Nuk dihet nëse në momentin e konfliktit Sokoli ka qenë i vetëm apo nën shoqërinë e mikut të tij, por janë dëshmitarë të shumtë të cilët flasin në lidhje me konfliktin e dhunshëm mes një personi nga pala tjetër dhe 34-vjeçarit nga Fieri. Personi që është konfliktuar me fierakun mësohet se ka telefonuar një shokun e tij, i cili kambërritur me një makinë amerikane dhe ka shkrehur mbi personin që ishte konfliktuar me shokun e tij një karikator kallashnikovi. Dëshmitarët i kanë thënë policisë se në makinën e vrasësit janë larguar edhe dy persona të tjerë. Kështu policia ka shpallur në kërkim tre persona, ndërkohë që po kërkohet edhe femra që ka qenë në shoqërinë e dy vetave që u bënë shkak i sherrit me 34-vjeçarin Isufaj. 

Dy viktimat e tjera 

Sejdi Bajlozi, 17-vjeçari nga Prrenjasi, mësohet se ka qenë në vendin e ngjarjes krejt rastësisht. Djali mësohet se kishte disa ditë që qëndronte në Vlorë bashkë me motrën I.Bajlozi për pushime. Motër dhe vëlla, saktësohet se ishin vendosur tek halla e tyre, ndërsa në atë moment adoleshenti ka qenë duke kaluar afër vendit ku personi i armatosur kishte vendosur të qëllonte mbi fierakun. Mbi 17-vjeçarin mësohet se kanë rënë tre plumba duke i marrë jetën në vend. Familja e tij reagoi me shpejtësi, menjëherë pasi policia kishte ofruar të dhëna se viktima kishte qenë i shoqëruar edhe me një person tjetër. Por, ngjarja është sqaruar sapo halla dhe motra e tij kanë mbërritur në morgun e spitalit të Vlorës. Gjithashtu, mbi 7 plumba dyshohet se kanë rënë edhe mbi trupin e Diana Ademit. Sipas të dhënave që vijnë nga vendi i ngjarjes, mësohet se gruaja është gjendur përballë vrasësit në momentin që ka nisur të qëllojë mbi Isufajn. Gruaja që është e moshës 53 vjeç, sipas policisë, është nga Vlora, por jetonte prej shumë vitesh jashtë vendit. 

Dëshmitarët: U zunë për një femër në plazh

Masakra e djeshme që ndodhi në një plazh privat, në vendin që njihet si zona e Kalasë në Vlorë, ka një shkaktar, një autor dhe një bashkëpunëtor. Policia ende nuk ka arritur të krijojë identikitin e vrasësit, por dëshmitarët kanë dhënë detajet e para në lidhje me të, si veshja, mosha përafërsisht si dhe mënyra se si i mbante flokët. Gjithashtu, mësohet se makina me të cilën ka mbërritur në vendin e vrasjes personi i pajisur me kallashnikov, është një fouristradë e zezë amerikane. Pushuesit kanë thënë se makina nuk kishte targa. Policia, sapo është identifikuar viktima, Sokol Isufaj, ka dyshuar se vrasja ka ndodhur për shkak të një hakmarrjeje të mbartur ndër vite ndaj fisit të të riut. Por, ngjarjet që datojnë vitet ’97 tregojnë pak lidhje me të riun që banon në lagjen “Apolonia” në Fier. Megjithatë, policia është kthyer tek ajo dosje për të mësuar më shumë në lidhje me personat që janë vrarë nga fisi i tij. Sipas të dhënave, saktësohet se Sokoli është kushëri i parë i Adrian Isufajt, i vrarë në vitin 1997, i cili bashkë me Luan Isufajn aso kohe konsideroheshin edhe të fortët e Roskovecit. Burimet nuk bëjnë të ditur se më kë janë në hasmëri fisi i Isufajve, por tregohet se Adriani kishte edhe një pseudonim që është transmetuar edhe sot e asaj dite si legjendë në ato zona. Ai quhej “Qorri”, ndërsa mësohet se në përplasjet mes grupeve rivale të asaj kohe në ato zona, thuhej se kishte edhe ndikim politik. Ndërkaq, policia e Vlorës, përveç investigimit në këtë drejtim, mësohet se në fokus ka edhe një konflikt të çastit ku të dhënat flasin për një sherr për shkak të një femre. Ky version, sipas policisë, do shumë kohë të vërtetohet, pasi mungojnë emrat e dëshmitarëve pjesëmarrës në ngjarje. Janë shoqëruar me dhjetëra persona dhe dëshmitë janë fokusuar pikërisht në një sherr të momentit. Janë të shumtë dëshmitarët që kanë treguar copëza të debatit mes dy palëve, por pa mundur të japin një emër të personave që kanë hyrë në konflikt me Sokol Isufajn, 34-vjeçarin që u vra dje pasdite. N.K

Kush është Sokol Isufaj

Babai i dy fëmijëve, Sokol Isufaj mësohet se ka lënë vendlindjen e tij shumë herët dhe është vendosur në lagjen “Apolonia: në Fier. Shkak i lëvizjes bashkë me familjen e tij dhe dy prindërit mësohet se kanë qenë disa ngjarje të vjetra të mbartura nga vitet 96-97. 34-vjeçari ditën e djeshme mësohet se ka shkuar në plazh bashkë me një mikun e tij. Isufaj është i punësuar si elektricist tek Pompat e Ujësjellësit në Fier. Isufaj, që sipas të dhënave është baba i dy vajzave të vogla, nuk rezulton të jetë i përfshirë në asnjë ngjarje apo të jetë me precedent të mëparshëm penalë, ndonëse në familjen e tij të vendosur në fshatin Kujran të Fierit mbartet një histori e largët dhe mjaft e komplikuar vrasjesh. Mirëpo, pavarësisht faktit të lëvizjes nga zona, sipas të dhënave të policisë, 34-vjeçari ishte një nga personat që policia e Fierit e shoqëroi në përpjekjet e dëshpëruara për të zbardhur vrasjen në Rroskovec të deputetit Fatmir Xhindi. Sokoli ishte i dyshuar, ai u shoqërua dhe u mbajt nën vëzhgim, por asnjë provë nuk e implikoi të riun në vrasjen që sot e asaj dite vijon të jetë e pazbardhur.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.