Masakër mjedisore në lumin Mat, heqja e inerteve rrezikon urën monument

Vazhdon masakra në shtratin e lumit Mat. Shfrytëzimi i inerteve është me intensitet të lartë prej kohësh dhe askush nuk ndërhyn për evitimin e kësaj masakre mjedisore që i bëhet shtratit të këtij lumi. Ky shfrytëzim po sjell çdo ditë e më shumë dëmtime serioze në urat që janë ndërtuar mbi të, madje dhe të Rrugës së Kombit, në afërsi të Milotit. Dëmet më serioze po i pësojnë dy ura të rëndësishme, ajo e Zogut, që bashkon dy brigjet e lumenjve, dhe ura e trenit të linjës Vorë-Shkodër i ndërtuar mbi këtë lumë. Madje kjo është një urë e dyfishtë, pasi përveç trenit në njërën anë, kalojnë dhe automjetet. Ura është e gjatë 860 metra, e ndërtuar në vitet 1981-1982 dhe me gjithë trafikun që ka përballuar deri në vitet ’90, ka funksionuar normalisht pa pësuar asnjë dëmtim. Dëmtimet e saj filluan të duken kur nisi shfrytëzimi i inerteve, kur babëzia për fitime e ka çuar këtë shfrytëzim në intensitet të paparë dhe që nuk njeh asnjë rregull e kufizim. Ekskavatorët punojnë fare pranë urës, në një distancë rreth 100 metra larg saj, në një kohë që me ligj askush nuk mund të marrë inerte në një distancë të paktën 500 metra larg urave. Jo vetëm që kjo distancë nuk respektohet, por edhe lavatriçet e zhavorrit ndodhen ngjitur me urën. Si pasojë e këtyre veprimeve të paligjshme, ura ka pësuar dëmtime serioze, duke filluar nga zbulimi i këmbëve të saj e deri te largimi i arkitrarëve në një hapësirë afro 10 cm nga njëritjetri. Nga ana inxhinierike, siç thonë specialistet e urave, kjo distancë nuk lejohet të jetë më shumë se një centimetër. Këto dëmtime kanë ardhur si rezultat i shfrytëzimit të zhavorreve në mënyrë të paligjshme, që çuditërisht vazhdojnë dhe askush nuk iu thotë ndal. Fatin e kësaj ure ka edhe ajo e Zogut, një objekt ky i veçantë në vendin tonë, pasi është përcaktuar me ligj si monument kulture. Por për shkak të marrjes së inerteve në rrugë të paligjshme nga subjekte të palicencuara, po rrënohet çdo ditë.
Panorama
Add new comment