Marrëveshja e BB me Bashkinë Durrës, Rama: Fund plazhit mes ujërave të zeza. Goldsten:Duhet ende shumë punë

Postuar në 16 Janar, 2014 10:36

Bashkia e Durrësit ka nënshkruar sot një marrëveshje me Bankën Botërore për ndërtimin e sistemit të Ujësjellës-Kanalizimeve të qytetit. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë ceremoni theksoi se falë projekteve si ky i ditës së sotme,

deri në fund të mandatit qeverisës, banorët e gjithë rajonit të Durrësit do e harrojnë njëherë e përgjithmonë çështjen e mungesës së ujit dhe erës së keqe nga ujërat e zeza.

“Ky është një transformim që fillon sot dhe banorët mund ta prekin në jetën e tyre të përditshme. Banorët e kësaj zone do kenë furnizim me ujë dhe kjo zonë nuk do jetë më një zonë ku për turp ujrat e zeza derdhen në det dhe ku njerëzit notojnë mes detit dhe ujërave të zeza. Histori që do i japim fund dhe brenda këtij mandati qeverisës e historisë së ujit dhe higjienës në Durrës do kthehet njëherë e përgjithmonë duke hapur një kapitull të ri dhe një kapitull ku ky problem do të jetë një problem që do ngjajë sikur nuk ka ekzistuar kurrë”, u shpreh Rama.

Ndërsa Drejtoresha e Bankës Botërore Ellen Goldsten deklaroi se duhet angazhim për më shumë bashkëpunim me pushtetin vendor.

“Unë mendoj se nuk ka vend më të mirë në Shqipëri për ta realizuar këtë model të vetdecantrilizimit lokal se këtu në Durrës. Ne prandaj kemi zgjedhur ta nënshkruajmë këtë marrëveshje këtu në Durrës. Por ne e ndërmorrëm këtë hap edhe për të sinjalizuar këtë transferim të veprimit.

Unë e di që i nderuari kryeministër është ende një kryebashkiak në zemër. Prandaj nuk ishte e vështirë ta bindnim të vinte këtu sot, sepse ai e di që këtu është vendi ku duhet të bëhen gjërat. Prandaj jam shumë e kënaqur që Banka Botërore do jetë partneri juaj në mbështetjen e kryebashkiakëve dhe kryekomunarëve. Unë megjithatë duhet të theksoj se nevojitet shumë punë për sigurimin e furnizimit me ujë”,- deklaroi Goldsten. Marrëveshja mes Bankës Botërore dhe Bashkisë së Durrësit është 85.3 milionë dollarë. Projekti parashikon investimeve parësore në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit për të përballuar pamjaftueshmërinë e tij gjatë pikut të sezonit turistik; investimeve dytësore që i lidhin fshatrat me sistemin e ujësjellësit të qytetit; dhe investimeve parësore për të ulur humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit; investimeve parësore në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjes së kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike në impiantin ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza në Durrës; mbështetjes së mëtejshme për ndërmarrjen e ujësjellësit për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara prej saj dhe situatën e saj financiare.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.