MAQEDONIA KA SJELLJE ANTIEVROPIANE NDAJ KOSOVËS

Maqedonia nuk ka ftuar Presidenten e Kosovë në Samitin e Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore duke i bërë kështu qejfin Serbisë, mirëpo ky gjest i shtetit tonë fqinjë, ka provokuar kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi dhe ministrin tonë të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Ky i fundit, këtë sjellje të Maqedonisë, e ka quajtur antievropiane.
Që të dy këtë e kanë quajtur si të papranueshme këtë veprim të Maqedonisë, duke shtuar se ai paraqet shqetësim për relacionet mes dy vendeve dhe se sjellja e Maqedonisë është antievropiane ndaj Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka thënë se mosftesa për 31 maj dhe 1 qershor kur do të mbahet samiti, vjen ngase Serbia ka kërkuar që të mos jetë edhe Kosova pjesëmarrëse.
Ai këtë sjellje të Maqedonisë e quan si antievropiane.
“Në këtë samit, nga pala maqedonase nuk është ftuar Presidentja e Republikës së Kosovës, unë si ministër kam qenë në kontakt me ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe përkundër insistimeve tona ata nuk kanë dërguar ende ftesë për neve. Kjo paraqet një shqetësim reale për relacionet mes Kosovës dhe Maqedonisë, është fakt kundër frymës së bashkëpunimit rajonal, dhe është sjellje antievropanie e Maqedonisë ndaj Kosovës”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka thënë se kjo është e papranueshme dhe se do i informojmë të gjitha shtetet e BE-së.
Ndërsa kryeministri Thaçi, ka pohuar se Maqedonia duhet t’i kalojë paragjykimet e së kaluarës për shqiptarët në rajon.
“Edhe Maqedonia duhet t’i kalojë paragjykimet e së kaluarës, kur ne të takohemi me nivele presidentësh dhe kryeministrash, ajo duhet t’i kalojë paragjykimet e së kaluarës për shqiptarëve në rajon”, ka thënë ai.
Të rikujtojmë që ky samit, për nga rëndësia, llogaritet si i dyti, pas Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.
EXPRESS
Add new comment