Maqedonia feston 21-vjetorin e Pavarësisë, festa pa shqiptarë

Republika e Maqedonisë feston sot 21-vjetorin e zbatimit të suksesshëm të referendumit, ku qytetarët e Maqedonisë u prononcuan për një shtet të pavarur dhe sovran.
Mbi 95 për qind e qytetarëve që dolën në referendum iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit "A jeni për një Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?".
Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, që Parlamenti i parë i Maqedonisë shumë partiake e miratoi më 25 janar 1991.
Zyrtarisht, vullneti i popullit për një shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për Pranimin e Rezultateve të Referendumit, më 18 shtator të vitit 1991, në parlamentin e Republikës së Maqedonisë.
Shtetin e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë.
Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit u konfirmua më 8 prill 1993, kur Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të në OKB.
Maqedonia ka marrëdhënie diplomatike me 168 shtete të botës.
Në vitin 2005 Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa vjet edhe rekomandim nga KE-ja për fillimin e negociatave me Unionin.
Greqia, pas rastit me NATO-n, bllokoi edhe euro-integrimin e Maqedonisë duke kushtëzuar me zgjidhjen paraprake të çështjes për emrin.
Njëzetë e një vjetorin e pavarësisë Maqedonia e kalon në pritje të raportit të ri nga Brukseli për përparimin e vendit në rrugën drejt euro-integrimit si dhe datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Festime pa shqiptare
Në Maqedoni shënohet 21 vjetori i pavarësisë nga ish-federata jugosllave, por festimet nuk parashikojnë artistë dhe programe kulturore shqiptare.
Nën patronazhin shtetëror në stadiumin “Filipi i Dytë” do të organizohet manifestimi qendror me koncert të madh ku janë të ftuar këngëtarët e skenës maqedonase, serbe dhe asaj rome, ndërsa në paralajmërimet publicitare nuk bëhet e ditur për asnjë artistë apo shfaqje kulturore shqiptare.
Manifestimi hapet me këngën “Maqedonia” me interpretimin e këngëtarit serb Dado Topiq, ndërsa më pas spektakli vijon me këngëtarët Zhelko Bebek, Josipa Lisac, Hari Varoshanoviq, Aleksandra Radoviq, Boris Novkoviq, Nina Badriq, Jelena Tomasheviq, Antonija Shola, Goran Karan, Miki Jovanovski, Oliver Mandiq, Esma Rexhepova, Tereza Kesovija, etj. Për këtë spektakël janë lëshuar në shitje mbi 70 mijë bileta.
Qeveria për spektaklin organizon edhe transport falas deri tek stadiumi nacional në Shkup nga të gjitha komunat e vendit. Qeveria ka bërë të ditur se për këtë manifestim ka ndarë 60 mijë euro vetëm për materiale propaganduese, zorimin, dritat dhe skenën gjigante. Nga zyrtarë të Qeverisë nuk janë dhënë hollësi lidhur me anashkalimin e artistëve të mirënjohur shqiptarë dhe shënimin e këtij përvjetori me elemente multietnike, duke pasqyruar karakterin shtetëror të këtij vendi.
Ballkanweb.com
Add new comment