Mandatet, PD-ja pritet të tentojë marrëveshje pas kundërshtimit të LSI

Postuar në 20 Janar, 2013 13:32

 

Eksperti socialist, Bledi Çuçi: Nuk duhet të kalojnë në Kuvend para vendimit të KQZ

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste po diskutojnë idenë e gjetjes së një marrëveshjeje politike, në mënyrë që çështja e ndarjes së mandatave për zgjedhjet e ardhshme të zgjidhet pa probleme. Por burimet bëjnë të ditur se një marrëveshje e tillë për një çështje të tillë delikate nuk do të pranohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera të vogla të cilat do të jenë pjesë e garës së ardhshme zgjedhore. Por pavarësisht mundësisë së një marrëveshjeje të tillë, PS kërkon me forcë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të jetë organi i cili do e rimarrë përsëri këtë çështje në shqyrtim. Këtë e bëri dje të ditur nënsekretari socialist për çështjet ligjore në PS, Bledi Çuçi, në një prononcim për “AS”. Sipas tij, do të jetë Kuvendi ai që do të vendosë për këtë çështje, por me kusht që ajo të kalojë fillimisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Nuk është marrëveshje politike në qoftë se ai arrihet me vendim në Kuvend, por le t’ia lëmë Kuvendit të shprehet për këtë gjë. Unë them që procedura ligjore ashtu siç e lexoj unë dhe si lexon shumica e juristëve është e tillë. Ka një institucion propozues dhe ka dhe një institucion miratues. Në këtë rast Kodi e përcakton qartë që institucioni propozues është KQZ-ja dhe miratuesi është Kuvendi”, theksoi përfaqësuesi i PS-së, Çuçi. Ai deklaroi edhe se përfaqësuesi i PS-së në grupin e punës pranë regjistrit kombëtar të gjendjes civile ka nisur punën prej disa ditësh dhe aktualisht puna është përqendruar në nivel konstatimi. Po kështu ai theksoi se në PS ka mbërritur ekstrakti i listës së zgjedhjeve dhe në fund të janarit do të ketë një raport të plotë lidhur me problemet që ka aktualisht në listat e zgjedhjeve. Shqetësimin për mosndarjen e mandatave sipas ligjit e shprehu dje dhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë përmes një deklarate për mediat, ku i kërkohet KQZ-së të marrë në dorë këtë çështje. “KQZ si një organ kolegjial, në kushtet e mospërmbushjes së detyrimeve ligjore dhe detyrimit madhor kushtetues për caktimin e mandateve, i ka të gjitha tagrat për të marrë në shqyrtim sërish çështjen e përcaktimit të mandateve, madje duke ribërë ndarjen e mandateve mbi bazën e numrit të popullsisë në periudhën e tanishme. Kjo do të maksimizonte akoma më shumë përmbushjen e detyrimit kushtetues mbi barazinë e votës, pasi në përllogaritjet e tanishme të ndarjes së mandateve do të reflektoheshin edhe lëvizjet e mundshme të popullsisë që mund të jenë bërë pas datës 7 nëntor e deri në periudhën kur do të merret në rishqyrtim çështja”, theksohet në këtë deklaratë.

Eksperti: “KQZ si një organ kolegjial, në kushtet e mospërmbushjes së detyrimeve ligjore dhe detyrimit madhor kushtetues për caktimin e mandateve, i ka të gjitha tagrat për të marrë në shqyrtim sërish çështjen”

SHQIP

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.