Maliqi: Bojkoti? LDK u koordinua me Berishën

Këshilltari i Ramës: E nderoi Rugovën por duhej ta përmendte në Kuvend
Fatjona Mejdini
Këshilltari i Kryeministrit Rama për çështjet e rajonit, Shkëlzen Maliqi, bëri dje deklaratën e tij të parë në lidhje me detyrën që ka marrë dhe pikërisht për situatën që u krijua në Parlamentin e Kosovës gjatë vizitës së kreut të ri të qeverisë shqiptare. Bojkotin e disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Parlament si pasojë e mospërmendjes të emrit të Ibrahim Rugovës gjatë fjalës së Ramës në Kuvend, Maliqi e cilësoi si veprim të koordinuar me ish-kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Në këtë mënyrë, këshilltari i Ramës e lidh bojkotin në Parlamentin e Kosovës me atë që ndodhi në Parlamentin e Shqipërisë një ditë më parë dhe në të dyja rastet, emëruesi i përbashkët është cilësuar Partia Demokratike e Berishës. Por Maliqi thekson se ky bojkot erdhi edhe për shkak të faktit se LDK kërkon të përfitojë terren elektoral me kartën anti-Rama në Kosovë. Për të mbështetur supozimet e tij për këtë ngjarje, Maliqi theksoi se lidhjet e hershme mes LDK-së në Kosovë dhe PD-së në Shqipëri janë të njohura prej kohësh. “LDK tradicionalisht ka qenë e lidhur në një aleancë me Partinë Demokratike. Ideja e LDK-së me këtë bojkot është që ta shfrytëzojnë disponimin pro Berisha në Kosovë, apo anti-Rama për procesin elektoral që vjen këtu. Vetëm një ditë më parë, Rama u bojkotua nga Berisha në Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Maliqi, duke shtuar se blloqet e ndarjeve politike në Shqipëri dhe Kosovë duket se nuk ishin shuar akoma. Pavarësisht kësaj, Shkëlzen Maliqi e quajti një lapsus të vogël mospërmendjen e emrit dhe kontributit të Rugovës në fjalën e lexuar përpara Parlamentit të Kosovës, por theksoi se homazhet që Rama bëri te varri i ish-presidentit ishin një shenjë e pakundërshtueshme e respektit të socialistëve shqiptarë ndaj kësaj figure. “E shihni qartë se Rama bëri homazhe te Presidenti Rugova. Në kuadër të vizitës, ai është përkujdesur të shkojë te varri i presidentit. D.m.th ky është respekti i Ramës ndaj figurës historike të Rugovës”, theksoi ai. Shkëlzen Maliqi foli dhe për akuzat që i janë bërë Edi Ramës në Kosovë, gjatë kohës që ai ka qenë kryebashkiak i Tiranës dhe i ka dhënë një medalje simbolike muzikantit serb, Goran Bregoviç. Ai argumentoi se dhënia e “Çelësit të Tiranës” Bregoviçit ka një dimension thjesht muzikor e që lidhet me dëgjimin e tij në një kohë kur Shqipëria ishte një vend i izoluar. “Nuk është njollë e zezë. Unë e di që Edi Rama dhe rrethi i tij do të thotë që gjenerata ‘70 e ‘80 e kanë parë Bregoviçin dhe Bijelo Dugmen si dritare për muzikën në botën perëndimore. Ka qenë muzikë e pranueshme për shqiptarët që kanë qenë të mbyllur dhe të izoluar”, theksoi Maliqi në lidhje me këtë çështje të ndodhur disa vite më parë.
Vlerësimi
Kryeministri Rama vlerësoi dje mikpritjen që, sipas tij, i bënë në Kosovë dhe mjedisin familjar që e shoqëroi gjatë kryerjes së vizitës. Rama e konsideroi ditën e vizitës të paharrueshme dhe theksoi se ai është i bindur që së bashku, dy shtetet do të bëjnë gjëra të mira. Këto vlerësime Rama i shoqëroi dhe me një album fotografik nga vizita njëditore në Kosovë.
Axhenda
Të hënën Kryeministri vizitë zyrtare në BE
Kryeministri i ri i vendit, Edi Rama, do të nisë të hënën një vizitë dyditore në Bruksel, kryeqendra e Bashkimit Europian. Ditën e hënë, Rama pritet ta fillojë vizitën me një fjalë që do të mbajë në Komisionin e Politikës së Jashtme, me titull “Shqipëria, situata postzgjedhore dhe perspektiva europiane”. Pas kësaj, ai do të zhvillojë edhe një takim me presidentin e Bashkimit Europian, Martin Shulz. Të martën paradite, Rama i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit do të zhvillojë një takim me presidentin e Komisionit Europian, Manual Joze Barroso. Më pas, Rama do të zhvillojë një takim me komisionerin për zgjerim, Stefan Fule dhe më pas, me kryediplomaten e Komisionit, Catherine Ashton. Një takim të rëndësishëm Rama do të ketë të martën edhe me presidentin e Bashkimit Europian, Herman van Rompuy. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë masat që do të marrë qeveria e re për të garantuar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian në fund të këtij viti. Muajin e ardhshëm, pritet që Shqipëria të njihet dhe me progres-raportin e Komisionit Europian për zhvillimet e fundit.
SHQIP
Add new comment