Majko: Më 23 qershor, PS fiton bastin historik

Postuar në 13 Qershor, 2013 02:37

-Pandeli Majko, një nga të rinjtë e parë të cilët iu afruan Partisë Socialiste në fillim të viteve ‘90, atëherë kur shumë të tjerë bënin të kundërtën, rrëfen se si e shikon partinë në të cilën u rrit edhe politikisht.

Ju keni qenë ndër të parët e afruar në PS e cila 12 vjet më parë u shndërrua nga Partia e Punës në Partinë Socialiste, në 22 vjet më pas, si e shihni PS-në?

Mendoj se gjykime mund të ketë të natyrave të ndryshme, por një gjë duhet të keni parasysh, që ne sot po flasim për një parti e cila kërkon që të fitojë bastin historik me veten dhe përballë publikut. Ne më 23 qershor do të vijmë në pushtet dhe mendoj se çdo koment i tepërt rreth kësaj historie se çfarë duhet të ishte dhe se çfarë nuk duhet të ishte PS mbyllen me ketë fjali.

Si kanë qenë ditët e para të shndërrimit të Partisë së Punës në Partinë Socialiste?

Unë nuk kam qenë prezent kur u bë ndryshimi, por mund t’ju them se në historinë e Shqipërisë mbetet një nga operacionet sociale, historike nga më të çuditshmet, por po kaq edhe nga më të zakonshmet. Kështu që mendoj se në këtë ditë mirënjohja duhet t’u shkojë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e kësaj historie të veçantë, e cila në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës, shpëtoi të majtën dhe nuk e la skenën politike pa një balancë. Në fakt, zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, falë votave që diti PS-ja të grumbullojë në limitet e veta historike, arriti të realizojë krijimin e një opozicioni, një opozicioni që bëri një dallim shumë të madh dhe me shumë nostalgji dhe respekt, kolegët e mi të grupit parlament të 22 marsit mbeten një nga grupet më cilësorë opozitar që ka prodhuar parlamenti i Shqipërisë.

A veçoni dot në këto 22 vite se cilat kanë qenë momentet më të mira dhe më kritike në historikun e Partisë Socialiste?

Është pak e vështirë që të diskutosh momentet më kritike në politikë. Shpesh në politikë humbet duke fituar dhe fiton duke humbur. E kam fjalën që ato që mund të konsiderohen momente të vështira, shpesh edhe humbjeje kanë qenë për PSnë, edhe momente të bukura, sepse ne shpesh kemi ditur edhe të ringrihemi. Një gjë është e qartë, nëse socialistët e ndajnë mendjen në një moment të caktuar për të ndryshuar një situatë në Shqipëri, kjo ndodh, nuk ka diskutim.

Mënyra e festimit sot cila do të jetë?

Ne do e fillojmë urimin me veteranët, do të thërrasim ata që kanë qenë shtylla dhe palca kurrizore e së majtës. Fakt është që ekzistenca e PS-së mbështetet te LANÇ-i, që është një nga faqet më të famshme të së majtës. Do e fillojmë me veteranët për të vazhduar me brezin tim tashmë dhe me të rinjtë. Përfitoj nga rasti t’i uroj Gëzuar Festën! Nga Vizion Plus.

“Urimi i vetëm për PS-në: Fitore!”

Në Festën e 22 vjetorit të Partisë Socialiste nuk mund të mungonte edhe urimi i një prej figurave më kyçe në historinë e kësaj partie. Profesor Servet Pëllumbi, në një prononcim për “Shekullin, shprehet se urimi i vetëm për socialistët në prag të zgjedhjeve, do të ishte rezultati pozitiv më 23 qershor. Pas kësaj date, Profesor Pëllumbi shprehet se Partia Socialiste duhet të shikojë reformimin e thellë në vend, rrotacionin dhe mënjanimin e ngërçeve politike. “Urimi i vetëm dhe i vetmi që mund të bëhet sot është urimi i 23 qershorit, pas fitores vijnë pastaj të gjitha ato që duhen: reformat e thella, rotacioni i domosdoshëm për të mënjanuar ngërçet politike dhe për t’i hapur rrugën zhvillimit, modernizmit të vendit dhe integrimit evropian”, thekson Profesor Pëllumbi

Rama: Do festojmë pas 23 qershorit! 

Të shpërndarë në të gjithë anët e Shqipërisë, socialistët zgjidhën që të mos e zhvillojnë para 23 qershorit festën e PS-së. Siç shprehet edhe kryetari i saj Edi Rama, festa tradicionale e cila është zhvilluar në amfiteatrin e Liqenit Artificial çdo 12 qershor, pritet që të zhvillohet pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve. Burime për “Shekullin” bëjnë të ditur se festa është zhvilluar në grupe të vogla, ndërkohë që angazhimi i të gjithëve ka qenë në fushatë. Por, ndonëse nuk kanë pasur mundësi për të qenë prezent në Tiranë për t’u mbledhur së bashku, nuk kanë munguar përshëndetjet për në rrjetet sociale për të gjithë mbështetësit e thjeshtë. Anëtarët e vjetër të PS-së dhe ata të rinj, Namik Dokle, Pandeli Majko, Maqo Lakrori, Ditmir Bushati etj, kanë uruar në profilet e tyre.

Edi Rama: Festa, pas fitores

“Gëzuar ditëlindjen e PS gjithë anëtarëve të familjes sonë politike”, kështu e nis urimin Rama. Kjo ditëlindje, vazhdon ai,- na gjen në prag të një fitoreje të madhe për një kthesë historike për Shqipërinë! Rama i fton anëtarët e PS-së të festojnë aty ku janë dhe të luftojnë për çdo votë. “Le ta festojmë aty ku ndodhet secili, në fushën e betejës zgjedhore mes Rrënimit dhe Rilindjes. Le të urojmë njëri-tjetrin thjesht Gëzuar, me krenarinë që jemi në anën e Rilindjes e jo të Rrënimit. Në fund të fundit, krenaria e të qenit në këtë parti buron më së pari prej të qenit të PS në krahun e duhur të historisë së shqiptarëve qysh në lindjen e saj. Gëzuar miq e shokë, vajza, djem, gra e burra, pa dallim krahine e feje, që i jepni përditë jetë dhe energji kësaj familjeje të madhe! Festën tradicionale të kësaj ditëlindjeje do ta bëjmë pas fitores së madhe të PS dhe "Aleancës për Shqipërinë Europiane", në zgjedhjet e 23 qershorit! Deri atëherë, le të luftojmë për çdo votë, shtëpi më shtëpi, zemër më zemër, në çdo cep të Shqipërisë që duam të rilindim!”

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.