Ma vunë flakën se jam kryetar i PS-së

Postuar në 24 Maj, 2013 04:13

 Kryetari i PS-së në Prezë, Lavdim Kajmaku, e cilëson të qëllimshme dhe politike vënien e zjarrit në banesë dhe në biznesin e tij. Në një intervistë për “Shekullin”, Kajmaku shpjegon ngjarjen e ndodhur në orët e para të ditës së djeshme. Ai shprehet se familja e tij nuk ka pasur konflikte me njeri. Kajmaku hedh poshtë versionin e rënies së zjarrit nga pakujdesia, sepse në vendin e ngjarjes është konstatuar se është përdorur benzinë. Sipas tij, sulmi lidhet me funksionin që ai mban si kryetar i PS-së në këtë komunë. Në orët e para të mëngjesit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe deputetë të Partisë Socialiste, si Pandeli Majko, Artan Gaçi etj.

Z. Kajmaku, si ndodhi djegia, ku ishit ju në ato momente?

Unë kam qenë në shtëpinë time. Më ka marrë nga firma nusja edhe më thotë: “Hajde se u dogj”. Në ato momente u ngrita dhe shkova atje. Çfarë të shikoja?! Vetëm zjarr. Ia kishin vënë luleve, të cilat i kishin lyer me benzinë. Kishin marrë flakë kamioni, sera. Aty pastaj kam shkuar se brenda kanë qenë disa bombola gazi për të mbajtur në temperaturë serën. Tek bombolat kishin shkuar qëllimisht që t’i vinin flakën.

Kishin shpërthyer bombolat?

Jo. Fatmirësisht jo. Pastaj kam shkuar dhe kam nxjerrë nipin nga dhoma. Me nusen e xhajës, e nxora jashtë dhe e çuam për serum se ishte i trullosur. Kam shkuar te serat ku ishin bombolat. Më pas kam marrë Policinë e Shtetit në telefon. Kanë ardhur policia dhe zjarrfikëset, të cilat kanë mbërritur pas një orë e gjysmë me vonesë, kur çdo gjë po digjej. Kishte marrë fund.

Janë djegur shtëpia, sera e luleve, makinat?

Po janë të djegura totalisht.

I keni pasur të siguruara?

Me thënë të drejtën nuk e di se çfarë. Më duket se janë pa siguruar. Më duket se ka mbaruar ai afati, por se kemi rinovuar më duket.

Mendoni se zjarri është vënë qëllimisht?

Po.

Pse mendoni kështu, keni pasur konflikte?

Unë quhem Lavdim Kajmaku, kryetar i PS-së së Prezës.

Pra, e lidhni me qëllime politike?

Kjo është totalisht politike sepse ne nuk i kemi borxh asnjë njeriu. Ne jemi në punën tonë, punojmë në fshatin tonë, me sakrificat tona.

A kanë filluar hetimet nga policia?

Policia është gjithmonë në krah të shtetit, jo në krahun tonë.

Sa llogaritet dëmi me afërsi?

Rreth 150-200 milion lekë minimumi.

Ku po jetoni pas ngjarjes?

Tani kemi shtëpitë tona në fshat, Prezë.

 

 Policia: Tetë vatra zjarri gjatë djegies së fidanishtes

Denoncimi është bërë nga vetë Lavdi Kaimaku, i cili është njëkohësisht edhe pronar i firmës së luleve Kaimaku. Në denoncimin e dorëzuar në polici kreu i Partisë Socialiste për Prezën e cilëson këtë akt si të qëllimshëm, duke e lidhur me postin politik që mban. “Unë dhe familja ime nuk kemi pasur konflikt ose problem me asnjë person. Kjo është e qëllimshme dhe nuk ka lidhje me biznesin”, u shpreh Kajmaku. Më tej shton se drejton këtë biznes prej shumë vitesh dhe asnjëherë nuk ka pasur probleme. Nga të dhënat e uniformave blu ngjarja është regjistruar rreth orës 02:40 të mëngjesit tëdjeshëm. Raportohet se janë shkaktuar tetë vatra zjarri. Fatmirësisht ndërhyrja e të afërmve ka mundur të shpëtojë bashkëshorten dhe nipin 12-vjeçar. Dëmet materiale janë të mëdha, duke u djegur fasada e zyrave të biznesit të tij, banesa si dhe gjysma e fidanishtes. Përveç tyre, nga flakët është përfshirë edhe një kamion me targën AA513GF, i cili është djegur. Ekspertët janë ende duke punuar, pasi pista kryesore mbetet ajo e një zjarrëvënie të qëllimshme. Por ende motivi dhe personat mbetet të pazbardhura. Nga ana e uniformave blu janë gjetur gjurmë benzine në vendngjarje. Ndërsa do të merren në pyetje edhe anëtarët e familjes, nëse kanë dëgjuar zhurma. Hetimet janë ngritur mbi pistën e zjarrëvënies së qëllimshme duke mohuar alternativën se kjo ngjarje është aksidentale.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.