Mësuesit me 700 $ në muaj , rritja duhet të jetë 5% në vit

Premtimi i Kryeministrit dje, se deri në fund të mandatit të tretë paga mesatare e mësuesve do të jetë mbi 700 USD nuk duket aq i pamundur sa u perceptua. Për të arritur këtë nivel, duhet një rritje vetëm 4-5% përgjatë katër viteve në vijim
Të gjithë ata që kanë dëgjuar dje kryeministrin Berisha kur përuroi një shkollë profesionale në Kamëz, se rroga e arsimtarëve në fund të mandatit të tretë do të jetë mbi 700 dollarë, e kanë marrë për manovër elektorale. Por premtimi i kryetarit të qeverisë rezulton të jetë më i vërteti i dhënë deri më tani dhe totalisht i arritshëm.
Rritja 3,5-5%
Aktualisht rroga mesatare e një mësuesi në arsimin e mesëm është 600 dollarë, pas rritjes që u bë në korrikun e këtij viti. Me këtë nivel, qeverisë së ardhshme i bie që të rrisë totalin e pagës bruto me 100 dollarë për katër vitet në vijim ose me rreth 25 dollarë në vit. Kjo vlerë në përqindje është më pak se 4 për qind dhe e njëjtë me nivelin e inflacionit (rritja e përgjithshme e çmimeve, që vijon 2-4%). Ndaj rritjen në këto nivele, sa inflacioni, është e detyruar ta bëjë çdo qeveri që është në pushtet. Po në këto nivele dhe pak më shumë rritet edhe paga në arsimin 9-vjeçar. Paga bruto aktualisht në këtë nivel është rreth 560 dollarë. Rritja për katër vitet e ardhshme duhet të jetë 140 dollarë ose rreth 35 dollarë në vit, çka do të thotë një rritje rreth 5 për qind në vit. Kjo rritje me këto ritme në fakt është më e ulët se ritmet e rritjes që janë aplikuar nga qeveria në dy mandatet e shkuara. Qeveria në parashikimet afatmesme parashikon të rrisë fondet për arsimin në fund të vitit 2017 në më shumë se 42 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 3 miliardë lekësh në krahasim me buxhetin e këtij viti.
Paga sa inflacioni
Politika e qeverisë për pagat në vitet në vijim do të jetë rritje e moderuar në të njëjtat nivele me inflacionin. Ky tregues gjatë dy tre viteve të fundit për shkak të krizës nuk ka qenë më shumë se 2-2,5%. Kështu është vepruar edhe për vitin 2012, kur rritja e përgjithshme e pagave nuk ishte më shumë se 2-4%. Sipas Ministrisë së Financave, në politikën e pagave përparësi do të kenë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, ku rritjet mund të jenë pak mbi nivelin e inflacionit. Ndërsa pagat e larta, ku përfshihet administrata publike, do të rriten më pak se 2% në vit. Ekspertët në Ministrinë e Financave shpjeguan se tashmë Shqipëria ka një nivel të pagës mesatare në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë në nivele më të larta se disa vende të rajonit. Kjo do të thotë se në të ardhmen nuk do të ketë rritje pagash, si ato që kemi parë nga viti 2005 deri më 2008, ku rritja ishte dyshifrore. Niveli i rritjes do të frenohet për shkak se kaq janë edhe burimet e financimit dhe se ky nivel pagash është i krahasueshëm edhe me sektorin privat. Këtë ecuri ka parashtruar edhe kryeministri Berisha dje kur tha se, në një hark kohor të shkurtër, rrogat e arsimtarëve janë rritur me 120 deri në 140 për qind, sipas kategorive. “Jam këtu për të garantuar mësuesit se gjatë katër viteve që vijnë rrogat e tyre do të njohin rritje dy deri në tri herë më të madhe sesa indeksi i çmimeve dhe se në krye të katër viteve rroga e mësuesit do të jetë mbi 700 dollarë dhe mësuesit në Shqipëri do të paguhen më mirë jo në dy apo tre, por sesa në disa vende të Bashkimit Europian” tha Kryeministri.
600
Dollarë është aktualisht paga mesatare bruto në arsimin e mesëm shtetëror
560
Dollarë është paga bruto në arsimin 9-vjeçar pas rritjes që u bë në korrik të 2012-s.
3,5-5
për qind duhet të jetë rritja e pagave për katër vitet në vijim, për t’u bërë 700 USD më 2017.
Rritja e pagave këtë vit, nga 15 korriku
Këtë vit qeveria ka përjashtuar variantin që të bëjë vota duke rritur pagat. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 rritja e pagave ndryshe nga çdo vit tjetër që aplikohet në Korrik, u bë në fillim të majit. Vendimi duket se u mor kastile për të joshur një pjesë të administratës dhe rritjet ishin të konsiderueshme, rreth 10%, të parashikuara më parë në buxhet. Por këtë vit zgjedhor pagat do të rriten më 15 korrik, kur zgjedhjet do të jenë të qartësuara mirë dhe me përqindje shumë më të ulëta se ato të vitit 2009. Sipas Ministrisë së Financave shpenzimet e personelit për vitin 2013 do të jenë rreth 5% e PBB-së. Më konkretisht, ky nivel ka ardhur si pasojë e reformave që parashikohen të kryhen në disa sektorë si: reduktimi i numrit të efektivëve ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes apo krijimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilat ulin në këtë mënyrë numrin e përgjithshëm të punonjësve buxhetorë për vitin 2013 në 87 710 punonjës nga 88 640 punonjës në vitin 2012. Ministria e Financave shpjegon se fondi i pagave është përllogaritur, duke mbajtur në konsideratë rritjen e përgjithshme të pagave, duke filluar nga data 15 korrik 2012. Politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për vitin 2013 dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritjeje selektive për sektorët prioritarë, ndërkohë që fondi i parashikuar për këtë qëllim është 1 miliardë lekë. Gjithashtu, këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, në përllogaritjen e shpenzimeve për paga është identifikuar si një zë më vete fondi i veçantë, i cili gjatë vitit 2013 kap vlerën 1.2 miliardë lekë dhe do të përdoret vetëm përmes miratimit të ministrit të Financave, në përputhje me performancën e të ardhurave dhe sipas rasteve të përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.
2005-2012
Pagat në arsim u rritën 2.2 herë
Paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm në vitin 2005 ka qenë 26 831 lekë dhe në vitin 2012 është bërë 59 235 lekë, me një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Bazuar në të dhënat krahasimore, paga mesatare e arsimtarit në arsimin 9-vjeçar, që në vitin 2005 ka qenë 22 771 lekë, në vitin 2012 është bërë 55 630 lekë, me një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Gjithashtu paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22 683 lekë, në vitin 2012 është 58 098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005. Ndërsa paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15 044 lekë, në vitin 2012 është bërë 35 618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e punonjëseve mbështetës në institucionet buxhetore, që në vitin 2005 ka qenë 22 554 lekë, në vitin 2012 është bërë 35 122 lekë, me një rritje prej rreth 1.6 herë krahasuar me vitin 2005.
FMN: Pagat të rriten sa inflacioni
Në këto kohë krize, kur shpenzimet për shlyerjen e borxhit janë rritur dhe të ardhurat tatimore janë në rënie, FMN këshillon shkurtimin e shpenzimeve. Themelore sipas deklaratës së fundit të Fondit Monetar për zhvillimet në Shqipëri, mbetet frenimi i rritjes së pagave ”Duke qenë se edhe hapësira për të rritur të ardhurat nëpërmjet rritjes së normës së taksave ka kufi, do të jetë i nevojshëm dhe kontrolli mbi shpenzimet”, këshillon FMN. Fondi sheh si thelbësore reformën e sigurimeve shoqërore dhe rritjen e pagave të sektorit publik me nivelin e inflacionit. Këto reforma do të krijojnë hapësirën fiskale për qeverinë për të ndërmarrë shpenzime më të larta kapitale, që të lehtësojë vështirësitë infrastrukturore, të nxisë rritjen, si dhe të ruajë shpenzimet sociale të destinuara për shtresat në nevojë, sugjeron FMN.
MAPO
Add new comment