LSI i dorëzon programin PS-së

Postuar në 09 Korrik, 2013 03:20

Grupet e punës për hartimin e programit të emergjencës vijojnë konsultimet. Prioritet ekonomia dhe funksionimi i institucioneve

Grupi i punës së LSI-së, që drejtohet nga Edmond Haxhinasto, i ka dorëzuar PSsë programin e kësaj force dhe propozimet për 300 ditët e para të qeverisjes. Socialistët, që drejtohen në grupin e tyre nga Ilir Beqja, po bëjnë fokusimin e prioriteteve që qeveria e re do të zbatojë në 300 ditët e para të saj si emergjencë dhe më pas në nivelin makro për katërvjeçarin. 

Në fokus do të jenë ekonomia, siguria publike dhe funksionimi i institucioneve publike te të cilat të dy grupet e punës do të dalin me një draft të përbashkët dhe të përpunuar, që do t’i paraqitet dhe publikut në muajin gusht. Por si për LSI, ashtu dhe për PS, e rëndësishme është të jetë një informacion sa më i afërt me realitetin në fushën ekonomike, mbi bazën e të cilit do të ndërtohen dhe politikat e ndërhyrjes së qeverisë së re. 

Për këtë, të dyja selitë po marrin informacion nga institucionet e pavarura, si INSTAT apo KLSH, se ku janë boshllëqet e mëdha financiare dhe ku kërkohen ndërhyrjet më të forta. Të gjitha këto duket se do të jenë si elemente që do ta bëjnë më të qartë punën e ekspertëve të ekonomisë të LSI-së dhe PSsë në hartimin e programit të emergjencës. 

Por ajo që pritet të bëjë qeveria e re, e sugjeruar nga grupet e punës së të dyja partive, është rialokimi i fondeve për ata sektorë që do të kenë nevojë më shumë deri në fund të vitit dhe përgatitja e buxhetit të ri për vitin 2014, i cili pritet që këtë vit të miratohet më vonë në Parlament se herët e tjera, për shkak të marrjes në “pronësi” nga qeveria e re e të gjithë bazës së të dhënave reale të ekonomisë dhe nevojave të saj për vitin e ardhshëm.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.