Lojë politike me ardhjen e FMN-së

Rama e kërkoi me kohë, por Fullani thotë se Fondi vjen me ftesë të Bodes. Zbardhet axhenda
Vizita e FMN-së në Tiranë, në cilësinë e një mbikëqyrësi, si dikur 8 vjet më parë, ka shkaktuar jo pak reagime dhe ndjesi tek aktorët e politikëbërjes në fushën ekonomike. Duke nisur prej ditës së sotme, deri më 19 korrik, një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të shikojë nga afër gjendjen financiare të vendit, dhe më pas do të vendosë për të pasur një mision të plotë vlerësimi në muajt tetor dhe nëntor.
Vizita përkon me rotacionin qeverisës, ndërsa prej kohësh, lideri i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, insiston për lidhjen e një marrëveshjeje të re me FMN, të nevojshme për nivelin ekonomik ku ka përfunduar Shqipëria, dhe për t’i bërë financat tona më të besueshme në sytë e ndërkombëtarëve.
“Rikthimi” i Misionit është artikuluar për herë të parë në prag të fushatës 2013 nga Mimi Kodheli, zëvendëskryetare e Komisionit Parlamentar për Financat dhe Ekonominë, kur tha se “me ardhjen e opozitës në pushtet, do të lidhet një marrëveshje me FMN”. Socialistët nuk dhanë detaje të mëtejshme, por pas përfundimit të zgjedhjeve dhe konfigurimin e rezultateve fituese për PS, del në publik guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili lëshon lajmin surprizë se FMN do ta vizitojë vendin në mesin e muajit korrik, si rrjedhojë e një kërkese dhe bashkëpunimi njëvjeçar të bankës dhe fondit për realizimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). Ditën kur deklaroi vizitën, Fullani foli hapur, duke pranuar se vendi po hynte në spirale të rrezikshme dhe se një mision i FMN-së është i nevojshëm për stabilitetin e financave të vendit. Ky qëndrim i guvernatorit binte ndesh me të kryeministrit Berisha, i cili për katër vite rresht e kishte kundërshtuar një mision të tillë, madje jo pak herë e ironizonte FMN për vlerësimet, duke e thënë se e “shohin gotën gjysmë bosh”.
Vendi është duke përjetuar ditët më të vështira financiare që prej ‘97-s dhe në këto kushte, kryeministri i ardhshëm, Edi Rama e ka të qartë se një bashkëpunim me këtë institucion, është i nevojshëm, veprim ky, i cili u kundërshtua fort nga qeverisja aktuale, duke e lënë arkën pothuajse bosh (6-mujori rezulton me deficit të shpenzuar në masën 95%).
Qëndrimet
Ndërsa kritikat ndaj guvernatorit nuk mungojnë, sidomos nga opozita për punën e tij aspak profesionale, duke favorizuar ndjeshëm qeverinë për financime larg logjikës ekonomike, Fullani, ditët e fundit po tenton të mbajë lart moralin, duke thënë se ardhja e FMN-së është “meritë e tij dhe ministrit aktual të Financave”. Ky i fundit është “zhdukur” dhe prej muajsh nuk del në publik e të thotë të vërtetën rreth situatës ku jemi me borxhin.
Ja çfarë thotë guvernatori në njoftimin e ditës së djeshme, datë 16 korrik. “Mbështetur në kërkesën e Ministrisë së Financave (?!) dhe Bankës së Shqipërisë të datës 26 shkurt 2013 (!), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB) do të kryejnë përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). Nëpërmjet vlerësimeve të FSAP-së, dy institucionet e rëndësishme ndërkombëtare ofrojnë një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për t’u zhvilluar më tej”. Pra, paska pasur një ftesë të Ministrisë së Financave në kohën kur vetë Ridvan Bode mohonte që vendi është në krizë. Sot, kur qeveria është duke ikur bashkë me “transfertat”, del në publik ftesa, të cilën opozita e sotme prej kohësh e ka artikuluar, por i është mohuar.
Në zgjedhjet e vitit 2009, agjencia “Reuters” vë përballë Berishën (kryeministër) dhe Ramën (lider i opozitës), në distancë, duke i pyetur rreth FMN-së. Është periudha kur misionit po i mbaronte mandati dhe mazhoranca i kishte lëshuar sinjalet se nuk kishte ndërmend të rinovonte “kontratën”). Berisha pranon hapur, ndoshta me batutë, se “…FMN i frikëson bizneset”, duke nënkuptuar tezat e saj konservatore, kurse Rama mban qëndrim të hapur për vijimin e marrëveshjes, që në fakt u ndërpre në janar 2010.
Misioni
Vlerësimi i fundit i FSAP-së për Shqipërinë është kryer në vitin 2005, dhe ky ushtrim i planifikuar do të realizojë një përditësim të vlerësimit të mëparshëm, sqaron BSH-ja. Një mision planifikues i FSAP-së do të vizitojë Tiranën në datat 17-19 korrik për të diskutuar me autoritetet mbi spektrin e shtrirjes dhe procesin. Puna kryesore për FSAP-në do të kryhet gjatë një misioni të mëvonshëm, i planifikuar paraprakisht në periudhën tetor-nëntor 2013. Pas këtij misioni, stafi i FMN-së do të paraqesë pikëpamjet e tij të nxjerra nga kryerja e FSAP-së në një raport të quajtur Vlerësimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSA).
Veçmas nga ky proces, një mision ekspertësh të FMN-së pritet të vizitojë Tiranën në fund të muajit shtator 2013. Qëllimi i vizitës do të jetë vlerësimi i zhvillimeve të fundit në ekonominë tonë si dhe diskutimi me qeverinë dhe bankën qendrore rreth politikave ekonomike dhe atyre financiare që do të ndiqen në të ardhmen. Kjo vizitë do të jetë pjesë e mbikëqyrjes ekonomike që kryen FMN-ja dhe do të pasohet nga një mision i Konsultimeve për Artikullin IV nga fundi i këtij viti. Zakonisht, gjetjet më të rëndësishme të Artikullit IV dhe FSAP-së përfshihen në raportin e stafit të FMN-së në përfundim të ciklit të konsultimeve.
Rekomandimet e FMN kanë qenë të qarta, por edhe të forta, të papranueshme për kryeministrin, pasi sugjeronin uljen me patjetër të borxhit publik, një disiplinim të shpenzimeve, sidomos ato me karakter social dhe elektoral, rishikim të nivelit të taksave, me synim rritjen, etj.
Takimi mister
Ende mbetet mister se çfarë ka biseduar Edi Rama dhe guvernatori Fullani në takimin që zgjati më shumë se një orë. Nga pamjet filmike dukej qartë pamja e ngrysur e Ramës dhe përpjekja e ethshme e Fullanit për ta sqaruar. Duhet thënë se ky është i vetmi takim që kryesocialisti nuk ka komentuar, sikurse bëri me të tjerët.
Rasti
Parlamenti grek çon për ndjekje penale ish-ministrin e Financave
Fshehu të dhënat e atyre që nuk paguanin taksat dhe transferuan fitimet jashtë
Parlamenti grek votoi në orët e para të mëngjesit të së martës të ngrejë padi penale kundër ish-ministrit të Financave, Jorgos Papakonstantinou, për sa i përket skandalit të fshehjes së llogarive bankare të evazorëve fiskalë të listës së shumëpërfolur “Legarde”. Papakonstandinou, ministër për dy vjet në kabinetin Papandreou akuzohet se ka hequr nga kjo listë me rreth 2000 depozitues grekë në bankën zvicerane HSBC, që i është dhënë Athinës zyrtare në vitin 2010, nga ish-ministrja franceze e Financave, Christine Legarde (sot presidente e FMN), emrat e tre të afërmve të tij. “Ai e mbajti atë për vete, e vuri atë në sirtarin e tij dhe kurrë nuk e dorëzoi CD me informacione zyrtarisht, tek asnjë përfaqësues i shtetit grek deri më sot”, thotë Zoi Konstantopoulou, deputete e SYRIZA-s.
“Ai mori një dokument në formë dixhitale, e mori në dorëzim dhe kjo del nga hetimi. E ndryshoi atë, duke hequr tre emra që i përkasin të afërmve të tij”, shprehet Makis Voridhis, deputet i Demokracisë së Re.
Papakonstantinou mohoi përsëri çdo akuzë duke theksuar se është viktimë e një përpjekje për inkriminimin e tij, për të fshehur mëkatet e sistemit. “Unë nuk mund të fajësohem për të gjitha të këqijat e vendit. Nuk është vetëm fakti se është diçka e padrejtë që të gjitha partitë përpiqen të lajnë në kurrizin tim mëkatet e qeverive të mëparshme. Është diçka më shumë se kaq. Është e pandershme”, shpjegoi Papakonstantinou.
Në votimin e fshehtë, nga 283 ligjvënës në Parlamentin 300 vendesh, 166 votuan në favor të akuzës për mashtrim, 208 për pabesueshmëri dhe 220 për shkelje të detyrës. Marrja e listës “Legarde” prej autoriteteve greke, lënia e saj qëllimisht e mbyllur në një kabinet, kopjimi dhe ndryshimi i saj, shënuan një skandal të madh politik që ka njollosur më shumë klasën politike të vendit e cila shihet prej qytetarëve të thjeshtë gjerësisht si e korruptuar dhe fajësohet prej tyre për krizën financiare të vendit, që ka shkaktuar 6 vjet recesion.
KLSH-ja
Sakaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit vijon të hetojë dokumentacionin e shpenzimeve dhe tenderëve të firmosur në Ministrinë tonë të Financave, ndërsa raporti do të publikohet në shtator
SHQIP
Add new comment