LOJË E AAK’SË

Postuar në 24 Prill, 2013 02:52

 

Partia e Isa Mustafës po e sheh largimin e AAK’së nga Komisioni për Reformë Zgjedhore si lojë të Ramush Haradinajt, në dëm të reformave zgjedhore dhe kushtetuese. Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova ka thënë se Haradinaj e ka bërë këtë veprim për të ndrequr pazaret me Liderin e PDK’së, Hashim Thaçi. Sipas Rugovës gjithçka është në kuadër të planeve që Haradinaj të bëhet Kryeministër e Thaçi President.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova e ka parë si lojë politike të Ramush Haradinajt largimin e AAK’së nga Komisioni për Reformë Zgjedhore.

Në këtë lojë, Rugova e ka përfshirë edhe Liderin e PDK’së dhe ka thënë se Haradinaj dhe Thaçi po e përgatisin terrenin për të mos lejuar reformat zgjedhore dhe kushtetuese.

“Liderët e ndryshëm politikë, duke nisur nga Hashim Thaçi e tash edhe Ramush Haradinaj janë duke kalkuluar edhe në dëm të reformës zgjedhore dhe kushtetuese. Ata e shohin vetën në të ardhmen, njëri President, e tjetri Kryeministër. Krejt këto veprime, Thaçi e Haradinaj po i bëjnë mbi kurrizin e reformës zgjedhore dhe asaj kushtetuese”, ka thënë Rugova, për Express.

Sipas tij, Ramush Haradinaj ka dal prej reformës zgjedhore për të bllokuar ndryshimet që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit.

“AAK e ka menduar mirë këtë lojë se duke bllokuar Komisionin për Reformë Zgjedhore e bllokon edhe mënyrën e drejtpërdrejtë të zgjedhjes së Presidentit të ri”, ka deklaruar Rugova.

“Mendoj se është lojë politike e Ramush Haradinajt. E shoh kështu sepse edhe Ramush Haradinaj e sheh vetën në kombinacione të cilat mund të vijnë në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar të martën se largohet nga komisionet për reformë zgjedhore dhe nuk do të marrë më pjesë në takimet e mbajtura nga liderët e partive.

Arsyetimi i zyrtarëve të AAK’së është se këto takime nuk kanë shërbyer për të vazhduar procesin e reformave, por vetëm për të bërë fushatë politike prej udhëheqësve partiak.

Sidoqoftë, në LDK po e shohin largimin e AAK’së si hap drejt bllokimit të reformave të nisura në vitin 2011.

Madje, Haki Rugova ka deklaruar se Ramush Haradinaj e ka menduar mirë se ku po dëshiron të dal më ketë hap politik.

“Po besoj se zgjedhja e Presidentit nga Kuvendi është lojë politike e pazareve të Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit për postin e Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit”, ka thënë Rugova.

“Ramush Haradinaj e sheh vetën në ato dajre, në ato lodra dhe tungjatjeta. Ne nuk jemi pjesë e këtyre lojërave”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në prillin e vitit 2011 është shkelur nga të gjitha partitë dhe askush nuk po jep përgjegjësi.

Sipas tij, partitë duhet t’i kthehen asaj marrëveshje dhe ta zbatojnë.

“Ne jemi mësuar me mosrespektimin e marrëveshjeve. Veprimi i AAK’së është tepër joserioz dhe në këtë mënyrë dalim edhe para popullit si joserioz. AAK është deklaruar se Presidenti duhet të votohet në Kuvend sikurse PDK’ja dhe Vetëvendosja”, ka thënë Rugova.

Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese ka nisur në prill të vitit 2011, pas zgjedhjeve problematike dhe krizës politike për emrin e Presidentit. Në atë kohë, në krye të Shtetit, me pajtim të PDK’së, LDK’së, AKR’së dhe AAK’së ishte zgjedhur Atifete Jahjaga Presidente, ndërsa ishin marrë vesh për të përfunduar reformën kushtetuese për Presidentin deri vitin e ardhshëm, kurse reformën zgjedhore deri në prill të këtij viti. Asnjëri prej këtyre afateve nuk është respektuar, ndërsa tash PDK, AAK dhe Vetëvendosje kundërshtojnë ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, kurse për zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale janë vetëm LDK dhe AKR’ja e Pacollit.

 

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.