Lirohet kunati i Dritan Dajtit: Civilët më vranë shokun

Ergest Xhoxhi, kunati i Dritan Dajtit, ka lënë qelinë e burgut pas tre vite e dhjetë muajsh, prej ditës kur përfundoi në pranga me akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”. Ai ka rrëfyer në një intervistë për “GSH” përjetimet e tij për çdo minutë të kaluar në qeli. Më 7 gusht 2009, pranë pistës “Iliria”, u ekzekutuan nga Dritan Dajti, katër oficerë të skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan t`i vinin prangat pas shtatë vitesh në arrati. Të vrarë mbetën Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj.
Ju sapo keni fituar lirinë. Si ndiheni pas kaq kohësh në qeli?
Në këto momente ndjenjat e mia janë ende të ftohta. Bilanci është tepër trishtues. Një shok i vrarë dhe unë që sapo kam rifituar lirinë që akoma nuk e di përse ma hoqën.
A është treguar e drejtë me ju drejtësia shqiptare?
Me kë është treguar e drejtë drejtësia shqiptare, që të tregohej me mua.
Sa ju ka rënduar fakti që jeni kunati i Dritan Dajtit?
Mijëra herë më pak se sa fakti që mund të isha i vdekur.
Çfarë ndodhi më 7 gusht 2009 në Durrës?
Atë që ndodhi në Durrës e kam parë vetëm në filma dhe nuk do ta harroj kurrë. Kam qenë së bashku me Ledion në mes të një rrugice që të nxjerr në plazhin “Iliria”. Të mbështetur pas murit po bënim shaka me Ledion në një kohë që Tuaregu dhe Tani brenda në të ndodhej i parkuar 20 metra larg nesh. Ne nuk mund ta shihnim pasi ai qe parkuar në kthesë. Papritur u shfaqën duke vrapuar 10-15 civilë me maska dhe të armatosur me pistoleta dhe automatikë. U drejtuan për tek ne dhe me një fjalor rruge shanin e ulërinin nga nënat e nga motrat. I frikësuar u shtriva menjëherë në trotuar, ndërsa Ledio qëndroi në këmbë. Ndërkohë dëgjova një krismë të vetme. Ledio filloi të rrëshqasë pas murit dhe ra në trotuar pranë meje. Më pas kjo lukuni vazhdoi në drejtim të vendit ku qe parkuar Tuaregu dhe pas 5 sekondash shpërthyen breshëritë.
Kush e qëlloi atë?
Njëri prej civilëve të armatosur me pistoletë që tregova më lart.
Keni marrëdhënie me familjen e tij?
Sigurisht. E kam pasur shok fëmijërie.
TEMA
Add new comment