LIMAJ, EDHE DY MUAJ NË ARREST SHTËPIAK

(E plotësuar) Deputetit Fatmir Limaj dhe të akuzuarve të tjerë për “Rastin Kleçka” i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.
Këtë e ka thënë për Express avokati i Limajt Tom Gashi.
“Kryetari i trupit gjykues, në rastin Kleçka, gjyqtari i Eulexit zotni Malcolm Simmonsm ka sjell vendim me të cilin i ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak z.Fatmir Limajt dhe 9 bashkëluftëtarëve të tij edhe për 2 muaj, deri me 18 gusht 2013,ky vendim është sjell kinse për të pamundësuar ndikimin në dëshmitar të vet mbrojtjes, gjë që është palogjikshmëri juridike. Duke e pas parasysh se gjykimi në këtë cështje vazhdon me 3.07.2013 ekipi mbrojtës i z Fatmir Limaj do të vendos për hapa të mëtejm juridik/do të ankohemi apo jo”,ka thënë Gashi.
Sot skadon arresti shtëpiak për Limajn
Sot skadon arresti shtëpiak për Fatmir Limajn dhe nëntë ish-bashkëluftëtarët e tij, të cilët janë të përfshirë në rastin “Kleçka”. Ndërkaq, i mbetet kryetarit të trupit gjykues të vendosë për vazhdimin ose jo të masës së arrestit shtëpiak.
Tomë Gashi, avokat mbrojtës i deputetit Fatmir Limaj ka thënë se pas skadimit të masës së arrestit shtëpiak për Limajn dhe të tjerët, trupi gjykues në rastin “Kleçka” do të shqyrtojë këtë çështje.
“Pas skadimit të masës së arrestit shtëpiak është në kompetencë të kryetarit të trupit gjykues të vendosë për vazhdimin ose jo të masës së arrestit shtëpiak. Mendoj se vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak është i panevojshëm. Por, në rast se kryetari i trupit gjykues është për vazhdimin e kësaj mase, natyrisht se ne do ta kundërshtojmë dhe do të ankohemi ndaj një vendimi të tillë”, ka thënë Gashi, duke vlerësuar se kthimi i masës së arrestit shtëpiak ka qenë lojë.
Më 7 qershor kryetari i trupit gjykues në rastin “Kleçka”, Malkom Simons, kishte marrë vendim për heqjen e masës së arrestit shtëpiak për Fatmir Limajn dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij.
Ndërkohë që, të premten që lamë Gjykata e Apelit në Prishtinë mori vendim që Limajt e të tjerëve t’u kthehet arresti shtëpiak.
Ndryshe, vitin e kaluar Gjykata e Qarkut në Prishtinë, tani e Apelit, kishte shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit për rastin “Kleçka”. Po të njëjtin vit Gjykata Supreme kishte marrë vendim ta kthejë komplet në rigjykim rastin “Kleçka.
EXPRESS
Add new comment