Ligji i medias, Leskaj: Berisha nuk pranoi këshillat e OSBE-së

Letra - Më 1 mars, përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave i dërgon Kryeministrit Berisha një letër, ku i shpreh shqetësimin për ligjin
Shqetësimi - Në këtë letër, Mijatoviç thekson se KKRT dhe Këshilli Drejtues i RTSH-së duhet të jenë politikisht gjithëpërfshirës dhe të pavarur në drejtim
Zyrtarët
Letra i është dërguar për dijeni edhe Kryetares së Kuvendit, Topalli, Panaritit dhe ambasadorit Wollfarth
Deputeti i PD, Marku: S’mund të pranonim propozimin e opozitës
“Kjo gjë rrezikon që të dyja institucionet të mbeten instrumente politike të shumicës së sotme parlamentare edhe për disa kohë”
Mark Marku - Ne, edhe Presidentin e Republikës, pas moszgjedhjes me shumicë të cilësuar, e zgjedhim në raundin e pestë me një shumicë të thjeshtë”
Heshtja - Kryeministri Berisha nuk ka dërguar asnjë përgjigje në lidhje me letrën e zyrtares së lartë të OSBE-së
Përplasja - Mazhoranca dhe opozita nuk ranë dakord për pjesën e ligjit ku përcaktohet ngritja e trupës rregullatore
Media - Me miratimin e ligjit, mazhoranca pritet të miratojë anëtarët e KKRT-së dhe këshillin drejtues të RTSH-së
Bledar Hoti
Mazhoranca dhe Kryeministri Sali Berisha nuk mori në konsideratë letrën e përfaqësueses së lartë të lirisë së medias në OSBE, Dunja Mijatoviç, gjatë miratimit të ligjit “Për median audiovizuale”. Këtë fakt e bën të ditur kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, socialistja Valentina Leskaj, e cila akuzon PD-në se minoi konsensusin e shumëkërkuar nga ana e faktorit ndërkombëtar. “Për shkak të shqetësimit të madh dhe të urgjencës që përbënte çështja, para tri ditësh, Kryeministrit Berisha i ka ardhur letër nga komisionerja e lartë për lirinë e medias, Dunja Mijatoviç, e cila, edhe në vizitën që zhvilloi në Shqipëri, e bëri të qartë qëndrimin e OSBE-së, por i ka dërguar dhe një letër urgjente Kryeministrit, i cili i kërkon që këto dy ente të jenë të paanshme dhe që ligji të miratohet me konsensus, pra variantin që na çon drejt enteve të paanshme, variantin që ne kemi propozuar”, deklaron Leskaj. Kryekomisionerja, në fjalën e saj drejtuar në seancën e së hënës, i kujtoi apelin urgjent të përfaqësueses së lartë të OSBE-së. “Dëgjoni Dunja Mijatoviçin, përfaqësuesen e lartë të lirisë së medias në OSBE, e cila jua tha në Shqipëri, ndërsa dy ditë më parë i ka dërguar një letër Kryeministrit. I kërkon të reflektojë për projektligjin. Mes të tjerash thotë qartë: “Kjo gjë rrezikon që të dyja institucionet të mbeten instrumente politike të shumicës së sotme parlamentare edhe për disa kohë. Duke qenë se këto shqetësime janë ngritur edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare…, më lejoni t’ju përsëris edhe njëherë se një regjim rregullator gjithëpërfshirës dhe i pavarur politikisht për dimensionet e mbikëqyrjes dhe programimit të çdo transmetuesi publik është praktika më e mirë europiane…. Ligjvënësit shqiptarë kanë mundësinë e vetme për të miratuar variantin e përmirësuar të ligjit, i cili siguron pavarësi editoriale dhe financiare të sistemit të transmetimit të shërbimit publik dhe të bëjë që ky ligj të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me angazhimet e OSBE-së në lidhje me lirinë e medias…”, tha Leskaj. Sipas përfaqësueses së opozitës, kjo ishte ajo që kërkonte edhe PS-ja në miratim e ligjit “Për median audiovizive”. Leskaj shtoi se zgjedhja me shumicë të thjeshtë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, i hap rrugë klientelizmit dhe goditjeve selektive.
“Zgjedhja e Entit Rregullator me shumicë të thjeshtë, çka do të thotë që e vendos mazhoranca e sotme, i hap rrugë klientelizmit, padyshim qëndrimeve preferenciale të entit apo goditjeve selektive siç ka ndodhur deri më sot”, theksoi socialistja Leskaj. Ndërsa deputeti i PD-së, Mark Marku, një nga hartuesit e këtij ligji, shprehet se mazhoranca nuk mund të pranonte propozimin e opozitës për zgjedhjen me short apo me shumicë të cilësuar të anëtarit të shtatë të KKRT-së apo të 11-të Këshillit Ddrejties së RTVSH-së. “Ne, edhe Presidentin e Republikës, pas moszgjedhjes me shumicë të cilësuar, e zgjedhim në raundin e pestë me një shumicë të thjeshtë”, theksoi Marku. Mazhoranca gjithashtu ka shprehur skepticizmin e saj në lidhje me propozimin e opozitës, duke theksuar se PS-ja ka qenë shkaktare e bllokimit prej vitesh të tri ligjeve të kërkuara nga ana e BE-së për vite me radhë. Ky ka qenë argumenti kryesor i demokratëve dhe gjatë diskutimit të këtij projektligji.
Ndërkombëtarët - Përfaqësuesja e lartë e OSBE-së thekson se, përveç këtij organizmi, ka edhe institucione të tjera ndërkombëtare të shqetësuara
Letra e plotë e përfaqësueses së OSBE-së për lirinë e medias, drejtuar Kryeministrit Berisha
Mijatoviç: Media publike, jo instrument i mazhorancës
Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatoviç, më 1 mars i ka dërguar një letër Kryeministrit Sali Berisha, ku i shpreh shqetësimin për mundësinë e politizimit të KKRT-së dhe Këshillit Drejtues të RTSH-së, ndaj i kërkon që ligji të miratohet në Kuvend, duke zbatuar pavarësinë e medias publike, e cila kryhet nëpërmjet një trupe rregullatore jo instrument i mazhorancës. Më poshtë po botojmë letrën e plotë të përfaqësueses së OSBE-së, e cila në dijeni i ka shkuar edhe ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe ambasadorit të OSBE-së, Eugen Wollfarth.
“Shkëlqesia Juaj, i dashur, Kryeministër Berisha!
Unë kujtoj gjallërisht takimin tonë konstruktiv në qershorin e vitit të shkuar dhe shpresoj se kjo letër t’ju gjejë mirë. Dua të ngre disa elemente në lidhje me shqetësimin mbi projektligjin e transmetimeve elektronike, i cili do të duhet të miratohet të hënën më 3 mars. Më lejoni që në fillim të shpreh mbështetjen për qeverinë tuaj në lidhe me projektligjin, i cili në mjaft aspekte përbën një hap të qartë të hartimit ligjor të drejtimit të medias audiovizive në Shqipëri. Megjithatë, projektligji i adaptuar nga Komisioni Parlamentar i Arsimit dhe Medias dështoi që të përcaktojë përbërjen e trupës drejtuese të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit dhe televizionit publik RTSH. Kjo shton rrezikun që të dyja institucionet të qëndrojnë si instrumente politike të mazhorancës aktuale për kohën që vjen. Këto shqetësime janë ngritur edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare, të ardhura edhe në zyrën time, ndaj më lejoni të përsëris edhe njëherë se një trupë rregullatore gjithëpërfshirëse politikisht dhe e pavarur përbën praktikën më të mirë për çdo shërbim publik në Europë dhe gjithashtu përcaktohet nga angazhimet e OSBE-së. Parlamentarët shqiptarë kanë shansin unik që të adaptojnë dhe miratojnë një version të ligjit, i cili do të sigurojë pavarësinë editoriale dhe financiare të medias publike dhe të jetë në një linjë me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e mediave. Padyshim zyra ime është e gatshme që t’ju asistojë në këtë përpjekje.”
SHQIP
Add new comment