Ligji antiduhan, Deda: Hyn në fuqi në 23 gusht.

Duke filluar nga data 23 gusht, shqiptarët duhet ta mendojnë mirë tymosjen e një cigareje në ambientet publike, pasi mund të gjobiten nga inspektorët të cilët do të jenë në terren. Ky paralajmërim është bërë nga Kreu i Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, Eltar Deda i cili thekson se tashmë ka nisur puna në terren.
“Duke filluar nga 23 gushti nis rreptësisht zbatimi i ligjit. Nuk do ketë tërheqje, por do të ketë punë edhe nga gjithë inspektoratet e tjera të ngarkuara me ligj për ta bërë atë të zbatueshëm. Të gjitha trupat inspektuese do njoftojnë bizneset, do njihen dhe me ligjin që përcakton se subjekti tregtar krahas logos ‘no smoking’ do njihet edhe me masat ndëshkuese që parashikon ligji”, deklaron Deda.
Sipas tij, zbatimi i ligjit do të shoqërohet edhe me një fushatë promocionale dhe subjektet do të informohen në mënyrë të detajuar lidhur me ndryshimet e bëra. Inspektorati Shëndetësor Shtetëror do të koordinojë punën me të gjitha inspektoratet e tjera që funksionojnë në vend.
“Ne kemi përgatitur të gjitha trupat dhe ato janë gati të bëjnë përshkallëzimin e punës tonë. Fillimisht do të nisim me një punë promocionale që i detyron institucionet të kenë në faqet e internetit logon kundër duhanit. Nëse do të vërehet që pihet duhan, inspektoratet do të vendosin gjobën” nënvizon Deda. Sipas tij, inspektorati shtetëror do të monitorojë punën e gjithë inspektorateve.
Add new comment