Ligj për ndëshkim të rreptë të ndërtimeve pa leje

-Edhe pse do t’i duhet të presë edhe dy muaj, për të marrë drejtimin e qeverisë, kjo nuk e ka penguar Edi Ramën të nisë nga puna, duke hartuar strategjinë e dhënies fund të ndërtimeve pa leje, në bregdetin e Vlorës. Nëpërmjet disa postimeve në ‘Twitter’, Rama ka njoftuar për takimin zhvilluar, mesditën e së dielës, me vendorët e Vlorës, ku është diskutuar rreth konkursit ndërkombëtar për planin e zhvillimit të qarkut dhe aksionin e prishjeve të ndërtimeve pa leje në bregdet. “Në vijën bregdetare të Shqipërisë do të bëjmë çka bëmë me Lanën në Tiranë! Pas katër vjetësh, ndërtimi pa leje në breg do të jetë një ëndërr e keqe”, ka paralajmëruar kryeministri i ardhshëm i vendit, të gjithë ata, që kanë guxuar të ndërtojnë apo planifikojnë të ndërtojnë gjatë vijës bregdetare. “Mesazhi është i qartë”, - thotë Rama. - “ Kush ndërton pa leje apo në shkelje të lejes në bregdet, duhet të ndalet, sepse pa asnjë dyshim po i çon paratë në det”. Kjo vendosmëri e Edi Ramës, që paralajmëron një furtunë mbi ndërtimet pa leje, është vijimi i deklaratave të bëra gjatë fushatës elektorale me banorët e Orikumit, ku ndërtimet pa leje dhe zënia e pronave janë çështje të nxehta për të gjithë zonën. Gjatë takimit më 1qershor, nga Orikumi, Rama premtoi ngritjen e një Agjencie Kombëtare të Bregdetit dhe një ligj të posaçëm për vijën bregdetare. “Vija bregdetare nuk mund të grabitet, të keqtrajtohet, të shkatërrohet, sepse është pasuria jonë e përbashkët. Do të bëjmë kujdes të posaçëm, do bashkëpunojmë për projekte të ndryshme, me qëllim zhvillimin e kësaj perle, që na e ka falur natyra”, ishte deklarata e Ramës. Gjatë një takimi me median lokale në Vlorë, kryeministri i sapo zgjedhur Rama deklaroi se paratë që po hidhen për të ndërtuar pa leje këto ditë vere në të gjithë bregdetin janë para të hedhura kot dhe se këto ndërtime do të prishen të gjitha. Ndër të tjera Rama deklaroi se, “paralajmëroj të gjithë ata që po harxhojnë lekë për t’i bërë këto veprime se nuk do t’i gëzojnë dot ato që po ndërtojnë pa leje dhe gjynah që harxhojnë lekë. Prandaj, ta ndalojnë harxhimin e mëtejshëm të parave të tyre sepse çdo gjë që konvertohet në mënyrë abuzive do të prishet. Menjëherë ne do të ndërtojmë një paketë të re ligjore lidhur me ndërtimet pa leje, e cila do të përfshijë dhe rritjen e dënimeve dhe dëmshpërblimet ndaj publikut për gjithë dëmet që sjellin këto veprime abuzive”, është shprehur Kryetari i Partisë Socialiste dhe deputeti i qarkut të Vlorës.
Rama zyrë deputeti në Vlorë
Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, do të ketë edhe një zyrë deputeti në Vlorë. Kështu në mënyrë indirekte, ai i jep fund dilemës nëse do ta mbante mandatin apo do ta dorëzonte pas betimit si kryeministër. Rama njofton në rrjetin social ‘Twitter’ se çdo deputet socialist do të ketë tryezën e tij përkatëse në qarkun përkatës nga ku është votuar. “Në Vlorë do të kem prej shtatorit edhe zyrën e deputetit me një strukturë standarde që do ta ketë çdo zyrë deputeti socialist në çdo qark”, përfundoi kreu i PS-së, Edi Rama. Në platformën e qeverisë së re është kusht që anëtarët e kabinetit të mos jenë njëkohësisht edhe deputetë.
SHEKULLI
Add new comment