Librazhd, PD: Socialistët dhunuan zyrat elektorale. PS: Trillime, jeni në panik nga humbja

Postuar në 09 Qershor, 2013 14:50

Demokratët dhe socialistët e Librazhdit kanë akuzuar njëri-tjetrin për provokim të incidenteve gjatë fushatës zgjedhore. Kanë qenë fillimisht aktivistët e PD-së që kanë akuzuar socialistët për dhunimin e zyrave elektorale në këtë qytet.

Zyra e shtypit e Partisë Demokratike bëri të ditur se në Librazhd janë dhunuar zyrat elektorale, ku janë grisur posterat e banderolat elektorale të PD-së. Duke akuzuar mbështetësit e PS-së, Partia Demokratike thekson se “Gjatë orëve të vona të natës së djeshme, zyra e PD-së, është bërë objekt i një sulmi vandal nga persona të identifikuar si aktivistë të Partisë Socialiste. Strukturat lokale të Partisë Demokratike kanë denoncuar pranë organeve kompetente, dhunën e përsëritur, të ushtruar ndaj zyrës elektorale, si dhe i bëjnë thirrje PS-së të ndalë presionet dhe provokimet”. Sipas demokratëve incidenti në Librazhd vjen pak orë pas atij në sheshin “Gensher” të Elbasanit, ku policia Bashkiake me urdhër të kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini s’lejoi aktivistët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të zhvillonin aktivitetet e tyre elektorale, duke tejkaluar kështu çdo normë ligjore për tubimet dhe aktivitetet elektorale të partive politike.

“Qëllimi i Partisë Demokratike ka qenë dhe mbetet zhvillimi i një fushatë të qetë dhe qytetare e bazuar mbi ide, alternativa dhe projekte konkrete. Siç duket, Partia Socialiste, në kushtet e mungesës së një platforme të besueshme për tu paraqitur para qytetarëve, i ka mbetur veç të prodhojë incidente me qëllim tensionimin e situatës elektorale”,- përfundon njoftimi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i PS-së në Librazhd, e cila përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, i cilëson të pavërteta pretendimet e demokratëve dhe akuzon drejtuesit e tyre se po dezinformojnë publikun.

“Partia Socialiste Dega Librazhd përgënjeshtron në mënyrë kategorike si të pavërtetë lajmin e përhapur nga PD se gjoja militantë të Partisë Socialiste kanë sulmuar dhe thyer zyrën elektorale të Partisë Demokratike”,- thuhet në deklaratë. Sipas socialistëve drejtuesit e PD-së në panik nga humbja e thellë në 23 qershor, dezinformojnë publikun me lajme dhe ngjarje të pavërteta të cilat në thelb kanë trillimin. “Në fakt është Partia Demokratike e cila ka shkelur që në fillim kodin zgjedhor duke ngritur zyrat e saj elektorale brenda ambienteve të nënprefekturës, hipotekës, zyrës së punës, pra institucione shtetërore ku ndalohet me ligj në mënyrë kategorike zhvillimi i aktiviteteve politike. Partia Socialiste Librazhd i bën thirrje të gjithë qytetarëve të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve. Fitorja është e pashmangshme në Librazhd dhe në gjithë Shqipërinë. Rilindje”,- përfundon deklarata e PS-së.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.